E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme disa vendime të rëndësishme. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratua vendimi "Për trajtimin e jetimeve me shërbim s

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme disa vendime të rëndësishme.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratua vendimi "Për trajtimin e jetimeve me shërbim shëndetësor dhe me barna". Vendimi paraqet nevojen e shërbimit shëndetsor falas në shërbimin ambulator, atë dentar si dhe mbulimin e kostos së gjithë medikamenteve që i nevojiten jetimit ne rast sëmundjeje (i merr falas) sipas përshkrimit të mjekut dhe jo vetëm ato medikamente që rimbursohen nga Skema e Sigurimeve Shëndetësore. Miratimi i këtij vendimi, duke qënë se përputhet plotësisht me programin e Qeverisë, plotëson një detyrim të cilin e ngarkon ligji për Statusin e Jetimit.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për një shtesë fondi në Buxhetin e vitit 2003, miratuar për Ministrinë e Ekonomisë, për dëmshpërblimin e ish-punonjësve të ndërmarrjes së prodhimit tëÇimentos në Fushë – Krujë". Në këtë mënyrë kësaj ministrie i shtohet fondi prej 24 milionë lekë për dëmshpërblimin e 978 punëtorëve të ndërmarrjes së prodhimit të çimentos në Fushë-Krujë, të larguar nga puna pas privatizimit të kësaj ndërmarrjeje. Kjo ndërmarrje iu shit me tender kompanisë fituese "Fushë-Krujë Cement Factory" sh.p.k. me një vlerë 1.7 miliardë lekë, shumë e cila përfaqëson trefishin e vlerës së ofruar nga shitësi.

U miratua vendimi "Për kalimin e banesave të ndërtuara në qytetin e Vlorës në pronësi të banorëve të shpërngulur nga fshati Mërtiraj, Vlorë". Në zbatim të Vendimeve të Këshillit të Ministrave nr. 56 datë 11.02.1993 "Për financimin e shpërnguljen e fshatit Mërtiraj Vlorë" dhe nr. 253 datë 30.04.1998 "Për përdorim fondi për familjet e rretheve Kukës e Has, të përmbytura nga hidrocentralet si dhe për financimin e ndërtimit të apartamenteve për familjet që shpërngulen nga fshati Mërtiraj" me fondet e ish shoqërisë "Albpetrol"SH.A dhe të buxhetit të shtetit, për familjet e shpërngulura nga fshati Mërtiraj Vlorë për shkak të veprimtarisë së ish shoqërisë "Albpetrol" SH.A në nxjerrjen e naftës brut, u ndërtuan në qytetin e Vlorës apartamentet përkatëse.

Në marrëveshjen e nënshkruar, dt.09.05.2001 ndërmjet përfaqsuesve te gjithë Ministrive të interesuara, përfaqsuesve të organeve të qeverisjes vendore dhe përfaqsuesve të banorëve të shpërngulur të fshatit Mërtiraj Vlorë, është marrë përsipër zgjidhja përfundimtare e kalimit në pronësi të këtyre banesave.

Nëpërmjet këtij vendimi bëhet i mundur kalimi në pronësi, pa pagesë, i banesave të ndërtuara për familjet e shpërngulura nga fshati Mërtiraj Vlorë.

U miratua vendimi "Për shpronësimin për interes publik të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimi dhe rehabilitimi i segmentit rrugor (Link-Road) që lidh Interchange Shkozet, me rrugën kombëtare Tiranë-Durrës në Shkozet".

Dokumentacioni për këtë shpronësim është hartuar nga Drejtoria e Shpronësimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, ndërsa vlerësimi i pronave që shpronësohen është berë nga Komisioni i Posaçëm për ndjekjen dhe realizimin e proçedurave të shpronësimit i ngritur pranë Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, me urdhërin e Ministrit nr. 1472 datë 13.05.2002. Komisioni pranoi kërkesën për shpronësim të paraqitur sipas Ligjit nr. 8561"Për shpronësimet". Është miratuar kërkesa për shpronësim nga titullari dhe ka vazhduar proçedura për realizimin e shpronësimit. Janë njoftuar të interesuarit për masën e shpërblimit dhe pronën që ju preket. Meqënëse kërkuesi i shpronësimit është Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, subjekt shtetëror në varësi të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, këto shpenzime përballohen nga buxheti i shtetit, miratuar për këtë ministri, për vitin 2003, në zërin "Shpronësime".

Qeveria miratoi vendimin "Për lejimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve që të përdorë proçedurën "Prokurim i Drejtëpërdrejtë" për hartimin e projektit të zbatimit për rrugën Milot – Rreshen, segment i aksit rrugor Durrës – Kukës – Morinë me shoqërinë konsulente shqiptare "Infratransproject".

Studimi i fizibilitetit për këtë aks, i financuar nga Banka Botërore, është përfunduar dhe kompania konsulente "Mott Mac Donald & Tecnic Consulting Engineers", ka paraqitur Raportin Përfundimtar. Konkluzionet paraprake të këtij raporti përkojnë plotësisht me variantin më të shkurtër, ku gjurma e rrugës kalon nëpër Luginën e Fanit të Vogël. Gjatësia e rrugës është rreth 180 km dhe koha e udhëtimit rreth 2 orë.

Aktualisht me kushtet e krijuara, kur pas përfundimit të Studimit të Fizibilitetit gjurma e rrugës është e qartë, si dhe duke pasur në kosnideratë rëndësinë që ka ndërtimi sa më parë i këtij aksi rrugor, mendohet se është me shumë interes që punimet për ndërtimin e segmentit rrugor Milot – Rreshen të fillojnë paralel hapave të tjerë që po ndërmerren për këtë objekt. Ky do të ishte një kontribut i rëndësishëm jo vetëm për shkurtimin e afateve të përfundimit të të gjithë aksit rrugor, por do të kishte edhe një impakt pozitiv në përpjekjet për sigurimin e financimeve të nevojshme për ndërtimin e segmenteve të tjerë përbërës të këtij aksi. Duke pasur parasysh kohën e shfrytëzimit shumëvjeçar të kësaj rruge, porjekti i zbatimit do të jetë sipas kushteve teknike dhe standarteve bashkëkohore të projektimit, si dhe konform të gjithë parametrave të përcaktuara në Studimin e Fizibilitetit të aksit Durrës – Kukës – Morinë.

Këshilli i Ministrave vendosi "Për miratimin, në parim, të marrëveshjes së Kredisë së Zhvillimit, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për programin e fazës së dytë të kredisë, në mbështetje të uljes së varfërisë".

Kjo kredi financohet nga Banka Botërore dhe siguron një mbështetje buxhetore të përbërë nga tre transhe. Këto transhe janë të tilla që përforcojnë njëra-tjetrën, ku çdo kredi bazohet në një kredi të mëparshme dhe kërkon që veprimet e specifikuara sipas fazave të kryhen para prezantimit në Bord. Qeveria shqiptare, pasi ka realizuar me sukses kushtet e fazës së parë të kredisë, në bashkëpunim me ekspertë të Bankës Botërore, ka miratuar Letrën e Zhvillimit të Politikave (VKM nr.276 datë 8.5.2003) për fazën e dytë të saj. Edhe kjo fazë e dytë e kredisë mbështet Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik dhe Social nëpërmjet katër komponentëve të saj: 1) Nxitja e zhvillimit ekonomik dhe mbështetja e zhvillimit të sektorit privat
2) Fuqizimi i hartimit të monitorimit dhe të vlerësimit të politikave
3) Përmirësimi i sigurimit të shërbimeve dhe efektivitetit të rrjetit të sigurimeve
4) Rritja e përgjegjshmërisë dhe përmirësimi i administrimit të shpenzimeve publike dhe marrëdhënieve fiskale ndër-qeveritare.

U miratua vendimi "Për miratimin e diapazonit të çmimit të aksioneve dhe miratimin, në parim, të termave të marrëveshjes IFC-në dhe BERZH-in për privatizimin e INSIG sh.a. (faza e parë)".

Bazuar në ligjin nr.8899, datë 22.5.2002 "Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG sh.a." (neni 3), ka përfunduar vlerësimi i kompanisë, proçes që është realizuar nga KPMG mbi bazën e proçedurave të tenderimti të Bankës Botërore.

Ligji i privatizimit të INSIG, kërkon miratimin e vlerës së aksioneve me të cilën do të fillojnë negociatat për transferimin e tyre tek institucionet financiare ndërkombëtare (në këtë rast IFC dhe BERZH).

Për këtë qëllim, Ministria e Financave konform Planit të Veprimeve të hartuar nga të gjitha palët, përfshirë këtu edhe IFC dhe BERZH, për privatizimin e INSIG, ndodhet në fazën e fillimit të negociatave me këto institucione.

Raporti i Vlerësimit që i bashkangjitet këtij vendimi, referuar ligjit të privatizimit të INSIG, kërkon miratim paraprak nga Këshilli i Ministrave, për të përcaktuar diapazonin dhe për të lejuar Ministrin e Financave të negociojë me IFC-në dhe BERZH-in.

U miratua vendimi "Për një ndryshim në Vendimin Nr.54, datë 27.2.1992 të Këshillit të Ministrave, "Për sistemimin e pagave të Ministrisë së Rendit Publik dhe Ushtarakëve të Ministrisë së Drejtësisë". Në mbështetje të neneve të Kushtetutës dhe të Ligjit "Për kompetencat për caktimin e pagave të punës", Këshilli i Ministrave vendosi që paga për emërtimin "Drejtor i Policisë së Burgjeve" të bëhet 75 000 (shtatëdhjetëepesë mijë lekë në muaj. Efekti financiar, që rrjedh nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohet nga buxheti i vitit 2003, miratuar për Ministrinë e Drejtësisë.

U miratua vendimi "Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për krijimin e Komisionit të Përhershëm Shqiptaro-Grek, për ujërat e ëmbla ndërkufitare". Kjo marrëveshje parashikon rregullat për krijimin dhe objektin e veprimtarisë së Komisionit të Përbashkët për rregullimin e çështjeve që kanë të bëjnë me shfrytëzimin dhe mbrojtjen e ujërave, ndërkufitare. Kjo marrëveshje synon vendosjen dhe promovimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve për mbrojtjen e rrjedhjeve të ujrave dhe liqeneve ndërkufitare (lumi Vjosë, Drinos dhe liqenet e Prespës). Detyrat kryesore të tij janë:
 Të shërbejë si forum për shkëmbimin e informacioneve mbi përdorimet ekzistuese dhe të planifikuara të ujit, si dhe të objekteve të ujit, të cilat mund të kenë impakt ndërkufitar apo pasoja negative mbi cilesinë e ujit.
 Të shërbejë si ndërmjetës për shkëmbim informacioni midis palëve për çështje të politikave të ujit.
 Të promovojë bashkëpunimin midis autoriteteve kombëtare kompetente të palëve etj.
 Të diskutojë e të vlerësojë propozime në lidhje me punët që palët vendosin te kryejnë në bashkëpunim me njëra-tjetrën dhe të mbikqyrë zbatimin e tyre, etj.

U miratua vendimi "Për miratimin, në parim, të protokollit të Parisit, për statusin e shtabeve ushtarake ndërkombëtare, të ngritura në përputhje me traktatin e Atlantikut të Veriut". Në dispozitat e këtij protokolli sanksionohet zbatimi i marrëveshjes për Shtabet Aleate në terrritorin e një pale të Protokollit aktual në zonën e Traktatit të Atlantikut të Veriut si dhe për personelin civil dhe ushtarak dhe personave në ngarkim të tyre, kur personeli është prezent në këto territore për shkak të detyrave të tij zyrtare. Ky personel është i identifikuar me anë të kartave të identitetit të lëshuara nga Shtabi Aleat. Protokolli parashikon të drejtat dhe detyrat që lejohen ose jo ndaj Shtetit dërgues Marrëveshja, detyrimet për të hequr dorë nga kërkesat mbi palën kontraktuese, përjashtimin nga taksat lidhur me pagat dhe shpërblimet e personelit.

Qeveria në mbledhjen e saj miratoi projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për mbrojtjen nga rrezatimet jonizuese". Ky ligj përcakton kushtet e mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese për të gjitha veprimtaritë që kryhen me lëndë radioaktive dhe pajisje rrezatuese, për të mbrojtur punonjësit e ekspozuar profesionalisht ndaj rrezatimeve, popullatën dhe mjedisin në tërsi nga rreziqet e mundshme të rrezatimeve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›