Sot pasdite, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave, me tematikë "Për vlerësimin e miratimin e buxhetit faktik si dhe për forcimin e
Sot pasdite, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave, me tematikë "Për vlerësimin e miratimin e buxhetit faktik si dhe për forcimin e konsolidimin e bazës ligjore në fushën e kontabilitetit dhe të financës si dhe përmirësime legjislative në fushën e pagave, etj.".
Në këtë mbledhje u miratuan disa projektligje të rëndësishëm.
Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për Miratimin e buxhetit faktik të shtetit të vitit 2002".
Kjo është një eksperiencë që filloi pas paraqitjes për herë të parë në vitin 1999 të buxhetit faktik të vitit 1998, si kërkesë e ligjit organik të buxhetit të shtetit, buxheti faktik i vitit të mëparshëm paraqitet i shkëputur nga ligji për buxhetin vjetor të vitit të ardhshëm. Projektligji paraqet të dhëna mbi të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit të shtetit, buxhetit të sigurimeve shoqërore dhe atyre shëndetësore, si dhe të dhëna mbi defiçitin e përgjithshëm të shtetit dhe burimet e financimit të tij. Në përputhje me kërkesat e ligjit organik të buxhetit, përveç gjëndjes së fondit të konsoliduar dhe fondeve speciale të cilat janë paraqitur për miratim janë edhe:
- Raporti i buxhetit faktik të vitit 2002 në të cilin bëhet një analizë e buxhetit dhe zhvillimeve makroekonomike dhe fiskale të 2002, si dhe disa tregues të detajuar për të argumentuar shifrat e përmbledhura të paraqitura në këtë projekt.
- Një raport mbi huatë shtetërore dhe operacionet e tjera të lidhura me borxhin shtetëror në fund të vitit 2002.
- Një raport mbi përdorimin e fondit rezervë të Këshillit të Ministrave gjatë vitit 2002.
Buxheti faktik i vitit 2002 i paraqitur përmban edhe të dhëna të tjera që lidhen me mbështetjen buxhetore të komunitetit ndërkombëtar si dhe përdorimin e saj.
Qeveria në mbledhjen e saj miratoi projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për mbrojtjen nga rrezatimet jonizuese". Ky ligj përcakton kushtet e mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese për të gjitha veprimtaritë që kryhen me lëndë radioaktive dhe pajisje rrezatuese, për të mbrojtur punonjësit e ekspozuar profesionalisht ndaj rrezatimeve, popullatën dhe mjedisin në tërsi nga rreziqet e mundshme të rrezatimeve.
Këshilli i Ministrave miratoi propozimin e projektligjit "Për disa shtesa e ndryshime në ligjin për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë".
Ndryshimet që është duke përvijuar arsimi i lartë, ballafaqimi i tij me zhvillimet ndërkombëtare në këtë fushë, rritja e kërkesave për arsimim, ndryshimet social-ekonomike të vëndit e kanë bërë të domosdoshëm rishikimin e ligjit për Arsimin e Lartë. Ky rishikim është bërë i nevojshëm për t'i hapur rrugë proçesit të Bolonjës.
Së fundmi, zhvillimi i dy cikleve të zgjedhjeve për autoritetet drejtuese dhe për anëtarët e senateve e të këshillave të fakulteteteve të shkollave të larta, ka krijuar përvojën e nevojshme për të ndërhyrë në këtë proçes tejet të rëndësishëm për zhvillimin e arsimit të lartë, për ta përmirësuar e demokratizuar më tej atë. Në ndryshimet e bëra përcaktohet mënyra e re e emërimit të drejtuesve të shkollave të larta ushtarake.
Ndërkohë, amendimet e bëra rregullojnë zgjedhjet për autoritetet drejtuese dhe për anëtarët e senateve dhe të këshillave të fakulteteve të shkollave të larta. Sigurohet që zgjedhjet për këto dy autoritete do të bëhen të drejtpërdrejta, d.m.th. nga stafi akademik, përfaqësuesit e stafit joakademik dhe përfaqësuesit e studentëve. Gjithashtu, janë përcaktuar edhe cilësitë që duhet të plotësojnë kandiatët për autoritete drejtuese.
Me anë të këtij projektligji, krijohen mundësi më të mëdha për pranimet duke rritur shkallën e liberalizimit të tyre. Kështu, ndërsa vazhdon të ruhen pranimet me kuota të parashikuara dhe me konkurs për sistemin e shkollimit me kohë të plotë (që me ligjin ekzistues quhej me shkëputje nga puna), për sistemin e shkollimit në kohë të pjesshme (që me ligjin ekzistues quhej pa shkëputje nga puna), pranimet bëhen me kuota të paparashikuara dhe pa konkurs, kundrejt tarifave të veçanta të shkollimit. Vlen të theksohet se zëvëndësimi i terminologjisë "sistem me shkëputje nga puna" me "sistem i shkollimit me kohë të plotë" dhe "sistem pa shkëputje nga puna" me " sistem i shkollimit me kohë të pjesshme" nuk është një zëvëndësim mekanik termash, por merr parasysh zbatimin e një sistemi tepër të përdorur edhe në Evropë (system part time). Këtu nuk bëhet fjalë për korrespondencën, sepse elementët e proçesit mësimor si: leksionet, laboratoret, seminaret apo praktikat do të zhvillohen pothuajse plotësisht si në sistemin e shkollimit me kohë të plotë (full time). Veçoria e këtij shkollimi qëndron në zhvillimin në mënyrë të përqëndruar të elementëve të sipërpërmëndur, duke shfrytëzuar sallat, laboratorët, mjediset e fakulteteteve në kohën që ata nuk janë të zënë nga studentët e sistemit të shkollimit me kohë të plotë (veçanërisht pasdreket, mbrëmjet, të shtunat e të dielat).
Në këtë projektligj është përfshirë edhe "karta e studentit", e cila favorizon sipas akteve të pritshme nënligjore, realizimin e disa lehtësive në shërbime publike e punësim.
Qeveria miratoi projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me bashkëpunimin në fushën e parandalimit e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë dhe forcimit të marrëdhënieve ushtarake dhe të mbrojtjes".
Sipas kësaj marrëveshjeje, Qeveria e SHBA-së do të ndihmojë Qeverinë e Republikës së Shqipërisë në arritjen e disa objektivave që lidhen me: ndalimin e përhapjes së armëve të dëmtimit në masë, materialet dhe teknologjitë që lidhen me këto armë, parandalimin dhe transferimin e kalimit tranzit të paautorizuar të armëve kimike, biologjike dhe bërthamore; ruajtjen magazinimin dhe transportimin e armëve të dëmtimit në masë, forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ushtarake të mbrojtjes dhe arritjen e objektivave tashmë të vendosura mes palëve.
U miratua projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën "Për privilegjet dhe imunitetet e agjencive të specializuara" dhe anekset e saj".
Qëllimi i kësaj Konvente është unifikimi i privilegjeve dhe imuniteteve që gëzojnë agjencitë e ndryshme të specializuara.
Me agjenci të specializuara do të nënkuptojmë:
Organizatën Ndërkombëtare të Punës; Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë; Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën; Organizatën e Aviacionit Civil Ndërkombëtar; Fondin Monetar Ndërkombëtar; Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, Organizatën Botërore të Shëndetësisë; Bashkimin Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve dhe çdo agjenci tjetër në marrëdhënie me Kombet e Bashkuara në përputhje me nenet 57 dhe 63 të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Kjo Konventë parashikon një rregullim të plotë të të gjitha të drejtave, imuniteteve dhe privilegjeve si dhe detyrimeve për respektimin e tyre nga shtetet anëtare në këtë Konventë.