E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti G20 Obama e Putin sfidojne njeri tjetrin

Në vend të homologut të tij rus Vladimir Putin, në prag të samitit të G20 që do të nisë punimet të enjten në Shën Petërburg, presidenti Obama ka zgjedhur të takohet me aktivistë rusë për të drejtat e njeriut dhe homoseksualëve. 
Nga ana e tij Putin, pasi ka parë të anulohet takimi bilateral me Obamën për shkak të tensioneve për dosjen siriane dhe për cështjen e Eduard Snouden, i është kundërpërgjigjur iniciativës amerikane pa shumë skandale. Ai ka vendosur të takohet për herë të parë gjatë këtij viti me anëtarë të këshillit presidencial për të drejtat e njeriut. Një institucion ky me karakter konsultiv që do ti paraqesë propozimin për të amenduar ligjin kundër homoseksualëve, si dhe atë që u mohon mundësinë organizatave që financohen nga jashtë për të kryer aktivitetet e tyre. 
Por zbutja vjen edhe për cështjen e Sirisë pasi Putin nuk ka përjashtuar mundësinë e mbështetjes së Rusisë për një operacion ushtarak në vend, por vetëm në rast se do të vërtetohet përgjegjësia e Damaskut në përdorimin e armëve kimike. Dhe në cdo rast ndërhyrja do të ndodhë nëse Organizata e Kombeve të Bashkuara do të japë dritën jeshile. 
Në një intervistë për televizionin publik në Moskë, Putin është shprehur se shpreson ende që të takohet me Obamën para fillimit të punimeve të samitit dhe ka theksuar se nuk sheh asnjë ftohje reale në marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit. 
Sipas tij Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po mbrojnë interesat e tyre të bazuara në dosje të karakterit bilateral dhe ndërkombëtar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›