E Diel, 1 Nëntor 2026

Samiti IV i Diasporës, Hoxha: Forcim i lidhjeve me bashkatdhetarët në botë, nxisim investimet

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha tha sot se Samiti IV i Diasporës që mbahet javën e ardhshme në Tiranë, synon të forcojë lidhjet me bashkatdhetarët shqiptarë kudo në botë, përmes ekspertizë dhe nxitjes së investimeve.

Në një konferencë për shtyp me gazetarët, Hoxha tha se ky samit që mbahet në datat 13, 14 dhe 15 prill në kryeqytet, do të jetë një aktivitet përmbajtësor dhe jo simbolik.

“Ai synon të kapitalizojë gjithçka që kemi ndërtuar dhe shtresëzuar që nga viti 2016, kur kemi filluar këtë proces. Samitin e parë, të dytë dhe të tretë, si edhe në këtë edicion të katërt, synojmë ta kthejmë në një platformë konkrete bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shqiptare dhe bashkatdhetarëve tanë në të gjithë botën”, tha Hoxha.

Ministri Hoxha nënvizoi se qëllimi është i qartë, të forcohen lidhjet me Diasporën, të nxiten investimet, të përfitohet nga dija dhe ekspertiza e tyre, si dhe të ndërtohen politika gjithëpërfshirëse dhe më efektive.

“Jo duke u thënë bashkatdhetarëve “ejani në Shqipëri dhe të shohim çfarë mund të bëjmë”, por duke u thënë, “hajde të ulemi e të bisedojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë për ju dhe për ne”. Rrënjët janë aty ku kemi lindur, pavarësisht se ku jemi zhvendosur, por rrënjët janë edhe aty ku jemi vendosur, pavarësisht nga vijmë”, tha ai.

“Ne duam një Diasporë të mirëintegruar dhe të angazhuar aty ku kanë zgjedhur të jetojnë. Nga ana jonë, jemi të vendosur në rrugën e reformave dhe zhvillimit për ta sjellë Evropën në Shqipëri dhe për ta çuar Shqipërinë në Bruksel. Për herë të parë, në shumë çështje, do të linjëzojmë idetë dhe veprimet në procesin e integrimit të vendit në BE”, cilësoi Hoxha.

Hoxha tha se programi i samitit përfshin 18 panele të ndryshme tematike, nga ekonomia, arsimi, inovacioni, kultura, diplomacia publike etj. Gjithashtu, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet të drejtës së votës dhe përfshirjes së shqiptarëve jashtë vendit në jetën politike dhe vendimmarrjen kombëtare, duke i bërë ata aktorë aktivë.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, foto: Florian Abazaj 1 nga 4

/e.i/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›