Samiti, Maqedonia jashtë axhendës
Maqedonia duket se do të humbë një shans të dytë për të qenë anëtare e Aleancës së Atlantikut Verior.
Ky vendim tashmë është i qartë për autoritetet qeveritare në Shkup, të cilët pavarësisht udhëtimit drejt SHBA-ve, nuk do të kenë rastin për të përfituar ftesën për anëtarësim, pas sinjaleve të qarta të Aleancës.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, deklaroi se axhenda e samitit të radhës nuk parasheh procesin e zgjerimit dhe pranimin e anëtareve të reja.
Të gjitha vendimet në NATO sillen në bazë të konsensusit, dhe kjo përfshin edhe Greqinë. Për të dërguar ftesën në adresë të Shkupit, duhet mbështetja e Greqisë. Unë e kuptoj se Greqia nuk ka vullnet për të bërë një ftesë të tillë derisa nuk gjendet zgjidhje e ndërsjelltë për emrin. Kështu kemi vendosur në Bukuresht në vitin 2008 dhe ai vendim akoma është në fuqi, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen.
Lidhur me Samitin në Çikago, edhe ambasadori amerikan në Shkup, Pol Volers, ka nënvizuar se SHBA-ja nuk do ta nxisë çështjen e pranimit të Maqedonisë në NATO, pasi dihet paraprakisht se nuk do të ketë konsensus. Ai gjithashtu ka saktësuar se në samiti i radhës nuk do të ketë në axhendë çështjen e zgjerimit.
Këto deklarime kanë shuar shpresat dhe përpjekjet e qeverisë së Maqedonisë për të përfituar ftesën edhe me referencën FYROM, një vendim ky i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, që ishte në favor të Shkupit dhe që obligonte Greqinë të respektonte Marrëveshjen e Përkohshme midis dy vendeve, sipas së cilës Athina zyrtare nuk do të bllokonte anëtarësimin e Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare.
Presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov, që është udhëheqës i delegacionit të Shkupit për në Çikago, ka kërkuar që NATO-ja të respektojë vendimin e GJND-së për kontestin e emrit. Ndërkohë, deri tani nuk ka pasur ndonjë koment nga ana e kreut të qeverisë, Nikolla Gruevski, i cili nuk ka udhëtuar drejt Çikagos, por po vijon një vizitë në Kinë, në kërkim të investitorëve dhe përhapjes kineze në Maqedoni. / INA