Samiti, Rama: Diaspora sot, histori e shumëfishimit të forcave të kombit. Gjuha, filli i padukshëm përbashkues

“Shqipëria nuk mbaron aty ku mbaron territori i saj, Shqipëria jeton kudo ku shqiptarët mbajnë gjuhën, shpresën dhe ndjenjën e pathyeshme të përkatësisë së tyre.” Me këto fjalë iu drejtua Kryeministri Edi Rama Samitit të IV të Diasporës, që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Rama theksoi se diaspora shqiptare nuk është më histori ikjesh, por histori e shumëfishimit të forcave të kombit dhe vlerës së shtuar të Shqipërisë.
“Shqipëria nuk mbaron aty ku mbaron territori i saj. Shqipëria jeton kudo ku shqiptarët mbajnë gjuhën shpresën dhe ndjenjën e pathyeshme të përkatësisë së tyre fetare. Ju jeni zgjatimi i gjallë i Shqipërisë kudo në botë, fryma e kombit përtej gjeografisë. Ka patur një kohë kur shqiptarët iknin nga atdheu duke marrë me vete guximin e dikujt që s’ka asgjë për të humbur. Por atë që historia deri dje e quante një ikje të pangushëllueshme, koha e ka shndërruar në një lidhej të pazëvendësueshme. Ajo që dikur dukej si hendek, sot është bërë urë. Sot diaspora shqiptare nuk është më histori ikje, por histori e shumëfishimit të forcave të kombit shqiptar dhe vlerës së shtuar të Shqipërisë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë e vuri theksin te nevoja për ruajtjen e gjuhës, teksa tha se kjo është sfida më e madhe përballë globalizimit. Sipas kryeministrit, vendet që kanë sukses janë ato që e shohin diasporën si pjesë të një ekosistemi të vetëm të njohurive dhe mundësive të rritjes, përmes gjuhës.
“Shqiptarët ndërtuan sipërmarrje të suksesshëm në vende që filluan t’i njihnin ata jo përmes steriotipeve, pro përmes dobisë së tyre, fisnikërisë së tyre. Përtej historive individuale të suksesit, ju mbartët diçka edhe më të rëndësishme, fillin e padukshëm që na lidh të tërëve me këtë tokë, një fije e bërë nga gjuha që flitet në shtëpi, nga tradita që mbahet gjallë, nga kujtimet që kalohen nga babi e nëna te vajza e djali. Ky fill është forca e madhe përbashkuese që kombi ka dhe sfida që Shqipëria dhe shqiptarët kanë sot për ta mbajtur, ruajtur e përcjellë brez pas brezi, përballë rreziqeve të mëdha që i kanosen në një botë gjithnjë më të ndërlidhur gjuhën e tyre, në një botë ku vendet që kanë sukses janë ato që veprojnë me vetëdijen e tyre se njerëzit e tyre, kudo ku ndodhen janë pjesë e një ekosistemi të vetëm të njohurive dhe mundësive të rritjes, përmes gjuhës”, tha Kryeministri Edi Rama në Samitin e IV të Diasporës që po mbahet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë”, u shpreh Rama.
/rtsh.al/