E Diel, 1 Nëntor 2026

“Paketa e Maleve”, Rama thirrje diasporës të investojnë në vendlindje: Shqipëria ofron mundësi reale për fitim dhe zhvillim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e mbajtur në Samitin e Diasporës, vuri theksin te rëndësia e “Paketës së Maleve” si një mundësi konkrete për zhvillimin ekonomik dhe rikthimin e shqiptarëve drejt investimeve në vendlindje.

Gjatë fjalës së tij, Rama u bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të investojnë në Shqipëri, duke garantuar se përmes mbështetjes së qeverisë, të ardhurat e tyre mujore mund të jenë më të larta sesa ato që sigurojnë në vendet ku aktualisht jetojnë dhe punojnë.

Ai theksoi se Shqipëria sot ofron mundësi reale dhe të prekshme për zhvillim, duke e cilësuar “Paketën e Maleve” si një nismë me rëndësi të veçantë, jo vetëm ekonomike, por edhe simbolike. Sipas tij, kjo paketë synon të rikthejë vëmendjen te zonat malore, të cilat historikisht kanë qenë të izoluara dhe larg zhvillimit.

“Shqipëria është një rrugë e hapur, e dukshme, e prekshme  mundësish për të gjithë. Zgjodha të sjell një gjest, akt, vendim të qeverisë që mua më duket se ka brenda dhe një simbolikë, “Paketën e Maleve” për të gjithë ata që kanë lënë tokën e tyre në mal për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë Shqipërisë. Malet kanë qenë gjithnjë larg jetës dhe larg zhvillimeve të këtij vendi. Malet janë qenë gjithnjë vendi ku shqiptarët janë tërhequr për t’u mbrojtur. Por sot, ka ardhur dita e bekuar kur Malet mund të bëhen pjesë e burimeve të mirëqenies së shqiptarëve. Sot për herë të parë në historinë tonë, kemi 2 gjera, Shqipërinë e besuar nga bota dhe shqiptarët e botës me besimin te Shqipëria. Kemi botën që vjen përmes vizitorësh dhe eksploron dhe malet dhe kemi shqiptarët e botës që tashmë e shohin se Shqipëria nuk është më e bukur dhe tërheqëse vetëm për ta por dhe për ata rrotull tyre atje ku jetojnë. Ju them shqiptarëve që kanë një copë tokë diku në mal , kodër, një shtëpi të braktisur të gjyshit e stërgjyshit, që ta marrin në dorë paketën e maleve dhe ta kthejnë atë shtëpi në burim mirëqenie”, deklaroi Rama, duke iu drejtuar veçanërisht atyre që kanë prona të trashëguara në zonat malore apo shtëpi të braktisura, që mund të kthehen në burime të ardhurash përmes investimeve në turizëm dhe agroturizëm.

Kryeministri nënvizoi se Shqipëria po përjeton një moment të rëndësishëm zhvillimi, duke përmendur rritjen e ndjeshme të turizmit me miliona vizitorë çdo vit, çka sipas tij krijon kushte të favorshme për investime fitimprurëse.

Ai e cilësoi diasporën si një aset të çmuar, duke theksuar se një komunitet global shqiptar, i arsimuar dhe i lidhur me vendin, mund të shërbejë si urë lidhëse mes Shqipërisë dhe botës.

Në përfundim, Rama theksoi rëndësinë e Samitit të Diasporës si një moment për forcimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, duke e cilësuar atë si një “ushqim” për zhvillimin dhe të ardhmen e Shqipërisë.

“Duke i siguruar të gjithë se ajo çka Shqipëria sot, që tërheq 12 mln turistë në vit, është në gjendje të bëjë për ta, falë investimit të tyre dhe mbështetjes së qeverisë, që nga ai burim i ri mirëqenie, ata do fitojnë në fund të muajit më shumë se duke punuar për të tjerët jashtë atdheut. Kjo e Maleve vlen për të gjitha.

Një komunitet global shqiptar i arsimuar, i lidhur, që kupton Shqipërinë dhe botës dhe që mund të shërbejë si urë, mes vendeve, kulturave ideve, është një komunitet anëtarët e të cilit nëse kthejnë sytë nga Shqipëria sot kanë edhe çfarë të fitojnë duke punuar me Shqipërinë.

Dita e sotme është e rëndësishme sepse po ushqejmë marrëdhënien tonë për të ushqyer sa më mirë Shqipërinë”, tha Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›