E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti, Rompuy: Dialogu me Kosovën integron Serbinë në BE

Samiti i Brukselit nuk i ka dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat. Në konferencën për shtyp pas Samitit, Barroso dhe Van Rompuy vlerësuan arritjet e Serbisë për integrimin në BE.

Barroso ka theksuar se Serbia duhet të bëjë më shumë për të hapur vende të reja pune.

Gjithashtu, ata kërkuan nga Serbia që të bëjë më shumë sa i përket marrëveshjeve me Kosovën. Sipas Van Rompuy, Serbia duhet të vazhdojë dialogun me Kosovën, vetëm dialogu me Kosovën siguron stabilitet në rajonin e Ballkanit.

Udhëheqësit e Bashkimit Europian refuzuan dhënien e statusit kandidat për këtë vit për Serbinë duke e shtyrë për në mars 2012, me kushtin që të përshpejtohen bisedimet me Kosovën. "Liderët e BE-së do të kërkojnë më shumë përparime në bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në përfundimet e Samitit.

Tri "nëse"-t e përfshira në përfundimet e Samitit kanë të bëjnë me implementimin me vullnet të mirë të marrëveshjeve për doganat, bashkëpunimin gjithëpërfshirës rajonal, dhe lejimin e trupave të NATO-s dhe policisë së BE-së për ta zbatuar mandatin në Veri të Kosovës. Nëse nuk përmbushen këto kërkesa, as marsi nuk është datë e sigurt për dhënien e statusit. Gjithashtu është kërkuar një rol më i madh i Serbisë në qetësimin e situatës në veri.

Nëse për Serbinë kjo ka qenë një ditë jo e mirë, krejt e  kundërta ka ndodhur me fqinjin e saj, Kroacinë, e cila ka nënshkruar sot marrëveshjen e anëtarësimit në BE.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›