E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Jam i gatshëm për bisedime me servët e Veriut të Kosovës

Në një prononcim për mediat serbe nga Brukseli, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur i gatshëm që të ulet në bisedime me serbët e Veriut të Kosovës. Ai ka shprehur gatishmërinë për bisedime dhe për zgjidhje të situatës. “Atje duhet të krijojmë hapësirë për lëvizje të lirë, sundim të ligjit dhe të demokracisë dhe pastaj unë do të jem në gjendje të investoj në atë pjesë të Kosovës”, është shprehur Thaçi.

Më tej, Thaçi ka ripërsëritur se ai dhe qeveria që drejton nuk janë në konflikt me qytetarët në Veri të Kosovës. “Ata janë qytetarë të Kosovës, ata janë qytetarët e mi dhe unë dëshiroj të jam në shërbim të tyre. Rruga përpara drejt të ardhmes shkon përmes integrimit, komunikimit, dhe jo izolimit e barrikadave”, thekson Kryeministri kosovar. Thaçi ka ripërsëritur po ashtu se zgjidhja e vërtetë qëndron në dokumentin ndërkombëtar, Planin e Ahtisaarit, kurse propozimi i ministrit të Jashtëm suedez, Carl Bildt për bisedime të posaçme rreth pozitës së serbëve në Veri të Kosovës është i tejkaluar.

Thaçi ka thënë se nuk është mirë as për Kosovën, as për rajonin të ketë “vrima të zeza” dhe anarki në këtë pjesë dhe u ka garantuar serbëve se dëshiron të krijojë siguri për të gjithë banorët. “Natyrisht, unë respektoj dhe do ta respektoj të drejtën legjitime të Beogradit të interesohet për fatin e popullit serb në Kosovë”, është shprehur ai. Thaçi ka rikujtuar se “kur u zgjodha kryeministër, më 2007, kishte barrikada në rrugët e Shtërpcës dhe në Graçanicë.

Por sot atje sundon ligji, liria e lëvizjes, demokracia, atje janë udhëheqësit e zgjedhur me rrugë demokratike dhe kanë arritur edhe investimet publike. Bashkëpunimi mes nivelit lokal e qendror është i mrekullueshëm”, ka thënë Thaçi. Po ashtu ka theksuar se ai dhe qeveria e tij qëndrojnë të palëkundur pas marrëveshjeve të arritura me Beogradin në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së e mbështetjen e SHBA. “Dëshiroj të besoj se Beogradi është i gatshëm t`i zbatojë ato zgjidhje”.

Ndërkaq për bashkëpunimin rajonal tha se do të mbështesë gjithnjë zgjidhjet europiane të problemeve. I pyetur rreth akuzave të Dick Martyt, Thaçi u përgjigj se nuk “mund të japë vlerësime për hetime që po i zhvillon prokurori i EULEX-it John Wiliamson”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›