E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti amerikanoverior diskuton krizën, sigurinë dhe drogën

Kriza ekonomike, trafiku i drogës dhe siguria e kufijve janë temat që dominojnë samitin e sotëm amerikanoverior ku marrin pjesë, Presidenti amerikan Barak Obama, ai meksikan, Felipe Kalderon si dhe kryeministri i Kanadasë, Stefen Harper. Temë tjetër debati do të jetë edhe gripi AH1N1 ku pritet të arrihet në një strategji të përbashkët për parandalimin e sëmundjes. Siç raporton agjencia e lajmeve Reuters, kryeministri i Kanadasë, Harper ka kërkuar një shumë prej 15 mln $ në vit për të luftuar trafikun e lëndëve narkotike, në një kohë që Presidenti Barak Obama premtoi mbështetje të plotë për Meksikën, e cila është ende në pritje të ndihmës 1.4 miliardë $ të akorduar nga Shtetet e Bashkuara. Numri i vdekjeve nga dhuna, në Meksikë, këtë vit ka shënuar një rritje me gati 30 %, dhe për këtë situatë, SHBA dhe Kanadaja kanë fajësuar trafikantët meksikanë.
Samiti i sotëm është pritur me protesta. Rreth 200 persona të organizatës Anti-Nafta, e cila kundërshton marrëveshjen për tregtinë e lirë në vendet e Amerikës së Veriut, marshuan në rrugët e qytetit Guadalahara në mbrojtje të të drejtave të popullit të tyre. Me flamuj kubanezë dhe postera në duar, ata akuzuan SHBA se ushtron dhunë dhe shkel të drejtat e emigrantëve, e po kështu dënuar ashpër edhe luftën e SHBA-ve në Irak.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›