Samiti i NATO- Hasani: Mbështetje e palëkundur për Ukrainën, vlerësim për rolin e SHBA në armëpushimin Izrael-Iran

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani është pjesë e delegacionit zyrtar të kryesuar nga Kryeministri Edi Rama në Samitin e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s.
Ai mori pjesë në Takimin e Këshillit NATO-Ukrainë, dedikuar diskutimit për situatën në Ukrainë, ku është takuar gjithashtu me Sekretarin e Shtetit të SHBA, Marco Rubio; me Përfaqësuesen e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, njëherësh Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas; me homologë nga vendet anëtare të BE-së dhe vendeve kandidate etj.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Hasani ka bërë me dije se gjatë takimit të Këshillit NATO-Ukrainë ka rikunfirmuar mnbëhstetjen e palëkundur të vendit tonë ndaj Ukrainës, e cila prej 3 vitesh përballet me agresionin rus.
Po ashtu, Hasani shton se, ka vlerësuar gjithashtu edhe rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme.
“Gjatë takimit të Këshillit NATO–Ukrainë në Hagë, riafirmova mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën, vlerësova rolin udhëheqës të SHBA-së për zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme, si dhe theksova rolin thelbësor të një shtylle të fortë evropiane për unitetin dhe qëndrueshmërinë e Aleancës.”, shkruan Hasani.
Në margjinat e Samitit të NATO-s në Hagë, Ministri Hasani do të zhvillojë takime dypalëshe me homologë të vendeve aleate dhe do të marrë pjesë në aktivitete të samitit ku në fokus do të jetë siguria dhe stabiliteti euroatlantik.
/rtsh.al/