E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Samiti i NATO-s, Rama: Do paraqesim vullnetin për t’u angazhuar më shumë! Rrisim në 2% të PBB shpenzimet e mbrojtjes deri në 2024

Pak ditë para samitit të NATO-s, që do të mbahet në datat 11-12 korrik në Vilnius të Lituanisë, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se Shqipëria do të rikonfirmojë përkushtimin “e palëkundur” ndaj aleancës si dhe do të përsërisë nevojën për stabilitet dhe fokus në Ballkanin Perëndimor.

Në një postim në Twitter, Rama shkruan se Shqipëria ka rritur shpenzimet e mbrojtjes deri në 1.76% të PBB-së sonë, duke theksuar se objektivi është që të shkojë në 2% deri në vitin 2024.

Po ashtu, Rama shton se në samit, Shqipëria do të paraqesë vullnetin për t’u angazhuar më tej dhe do të njoftojë se, nëse është e nevojshme, është e gatshme të angazhojë trupa shtesë për të forcuar praninë përpara të NATO-s.

“Ne mezi presim samitin vendimtar të NATO-s në Vilnius. Në Vilnius, ne do të rikonfirmojmë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s, sigurinë e aleatëve tanë në krahun lindor, luftën e drejtë të popullit ukrainas dhe vetë nevojën për stabilitet dhe fokus në Ballkanin Perëndimor. Në dekadën e fundit, Shqipëria ka rritur shpenzimet e mbrojtjes nga 1.35% në 1.76% të PBB-së sonë. Megjithatë, në momente si kjo, nevojitet më shumë. Prandaj, kam ngarkuar Ministrinë e Mbrojtjes që të arrijë objektivin prej 2% deri në vitin 2024. Edhe pse nuk jemi ndër anëtarët e pasur të NATO-s, ne besojmë se objektivi prej 2% është dyshemeja dhe jo tavani i angazhimit tonë. Në Vilnius, Shqipëria do të paraqesë vullnetin e saj për t’u angazhuar më tej. Ne gjithashtu do të njoftojmë se, nëse është e nevojshme, Shqipëria është e gatshme të angazhojë trupa shtesë për të forcuar praninë përpara të NATO-s. Së bashku jemi më të fortë dhe vetëm së bashku mund të mbizotërojmë në këtë moment shumë përcaktues për atë që besojmë; për hir të brezave që do të vijnë”, shkruan Rama.

Kryeqyteti i Lituanisë ka nisur përgatitjet për të pritur Presidentin e SHBA, Joe Biden dhe anëtarë të tjerë të aleancës, ndërsa samiti i NATO-s mbahet në një kohë kur pushtimi rus në Ukrainë vijon, teksa e tensionuar është edhe situata në Ballkan, ku Kosova dhe Serbia nuk e kanë gjetur ende rrugën e dialogut për zgjidhjen e çështjeve të hapura mes tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›