Dhuna për guroren në Borizanë, Gazment Bardhi: Shokuese pafuqia e institucioneve për të vepruar

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Borizanë, ku anëtarë të fisit të deputetit Rrahman Rraja, mes të cilëve edhe djali i tij, dhunuan dy persona.
Në një postim në Facebook, Bardhi e konsideron ngjarjen “shokuese”, ndërsa shton se e tillë është edhe pafuqia e institucioneve, sipas tij, për të vepruar dhe për të zbatuar ligjin.
Referuar reagimit të Rrahman Rrajës, i cili dorëzoi edhe mandatin e deputetit, Bardhi thotë se ngjarja nuk është dështim i një deputeti si prind, por “gjunjëzim dhe dështim i shtetit përballë bandave me pushtet politik”.
“Ngjarja e rëndë e Krujës është thelbi i qeverisjes së Edi Ramës. Është po aq shokuese sa dhuna shtazarake e fisit Rraja, pafuqia e institucioneve për të vepruar dhe për të zbatuar ligjin. Ngjarja në Krujë nuk është dështim i një deputeti si prind apo vlla, siç po tentohet të shitet, por gjunjëzim dhe dështim i shtetit përballë bandave me pushtet politik. Për shkak të këtij modeli qeverisës sot kemi disa oficerë policie në azil, që duhej të ishin në punë, për të ofruar rend e siguri për qytetarët, por nuk janë, janë larguar, sepse në përballjen që ata kishin me bandat, qeveria e Edi Ramës zgjodhi ti braktiste ata dhe të mbronte bandat me pushtet politik, siç tentoi të bënte edhe për këtë ngjarje 2 ditë më parë”, shkruan Bardhi.
Ai bën thirrje që të shkojnë para drejtësisë edhe zyrtarëët që nuk kanë vepruar pas denoncimeve të qytetarëve lidhur me problemet që po i sillnin punimet në guroren në pronësi të familjes së deputetit Rraja.
“Qytetarët protestojnë prej ditësh se një gurore në pronësi të familjes së deputetit po dëmton shtëpitë e një fshati të tërë dhe institucionet fshihen, nuk veprojnë. Deputetët e opozitës kanë denoncuar një muaj më parë rastin në Parlament dhe ministrat e Edi Ramës bëjnë sikur nuk dëgjojnë. Edhe sot nuk ka asnjë veprim nga institucionet përgjegjëse për të ndaluar veprimtarinë e paligjshme të atyre guroreve.
Qytetarët paraqiten të masakruar në Policinë e Shtetit, dhe drejtuesit e policisë jo vetëm nuk veprojnë, por kujdesen të thonë që ka shoqëruar disa familjarë të deputetit por i kanë lënë të lirë sepse gurorja është me leje. Veprimet e Policisë së Shtetit për arrestimin e personave erdhën vetëm pas publikimit të pamjeve shokuese të dhunës ndaj dy qytetarëve të pafajshëm.
Prandaj ngjarja nuk mund të kalohet pa vënë përpara përgjegjësisë edhe zyrtarët përgjegjës që nuk vepruan, institucionet që kanë dhënë lejet e paligjshme, zyrtarët e Policisë së Shtetit që tentuan të fshehin dhe manipulojnë ngjarjen. Ngjarja e rendë e Krujës nuk mund të kalohet me përgjegjësi individuale apo familjare, por me përgjegjësi të plotë politike, duke nisur nga arkitekti i këtij modeli qeverisës Edi Rama që qeverisë sipas parimit ‘merr dhe mbaj pushtet me krimin, dhe jepi pushtet në qeverisje pa kufi krimit’”, përfundon Bardhi postimin e tij.
Dy ditë më parë në media qarkulloi video ku dukeshin vëllezërit e deputetit Rraja dhe djali i tij të pajisur me shkopa gome, ndërsa njëri prej vëllezërve me armë në dorë, teksa ushtronin dhunë ndaj dy vëllezërve të cilët vazhdimisht ishin ankuar se gurorja e familjes Rraja po i shkatërronte shtëpitë nga shpërthimet që kryheshin aty.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi reagoi duke e konsideruar dhunën të papranueshme, teksa theksoi se askush nuk është mbi ligjin dhe nuk mund t’u shpëtojnë përgjegjësive “në asnjë rrethanë”. Ministri ka zhvilluar edhe një takim sot me Drejtorin e Policisë Muhamet Rrumbullaku, ku ngjarjet me sfond kriminal besohet se ishin tema kryesore e takimit mes dy zyrtareve që përgjigjen për rendin dhe sigurinë publike.
/rtsh.a/