E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sezoni veror/ Shtohen lëvizjet në Kapshticë, autoritetet masa shtesë për të përballuar fluksin

Fundjava shënon një shtim të lëvizjeve në pikën e kalimit kufitar në Kapshticë. Çelja e sezonit veror bën që një pjesë e shtetasve shqiptarë të zgjedhin si destinacion për të kaluar pushimet verore, plazhet e vendit fqinj ndërsa nuk mungojnë edhe lëvizjet për të kaluar një fundjavë, kryesisht në qytetet Selanik, Kostur apo edhe për të vizituar vende turistike si Meteora.

Por nuk përjashtohen edhe shtetas të huaj që zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik. Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit në Korçë bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit përmes kësaj pike kufitare kanë hyrë drejt shtetit shqiptar 3080 shtetas ndërsa kanë udhëtuar drejt shtetit Grek 2490 shtetas.

“Do të kalojmë disa ditë në Shqipëri. Do të ndalemi në Pogradec ku do të konsumojmë dhe darkën e më pas do të udhëtojmë drejt Tiranës. Këtu në doganë nuk kemi pritur gjatë për të kaluar”, shprehet drejtuesit e mjeteve

Burimet pranë kësaj pike doganore bëjnë të ditur se nga pala shqiptare po punohet me 2 sportele në hyrje dhe një në dalje ndërsa nga pala greke punohet me 2 sportele në hyrje dhe 2 në dalje.

Oraret kur shënohet numri më i lartë i lëvizjeve janë prej orës 9-të mëngjesit deri në orën 11 dhe nga ora 12 deri në orën 16 kur përmes kësaj pike doganore kalojnë edhe linjat e transportit të udhëtarëve nga Korça në Selanik si dhe drejt Athinës.

Gazetar: G. Sali

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›