E Shtunë, 31 Tetor 2026

Francë, Sarkozi e ka pisk

Sondazhet tregojnë se ai e ka tepër të vështirë të kalojë sfiduesin e tij në balotazh.

Sarkozi fitoi 27.1 të votave, teksa sfiduesi i tij, Francois Holland, mori 28.6 %. Kjo është hera e parë që një President në detyrë (i Republikës së Pestë) humbet në raundin e parë të zgjedhjeve. Dy kryesuesit do të përballen sërish në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të zhvillohen me 6 maj.

Në vend të tretë u rëndit nacionalistja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, me 18% të votave.

Korrespondenti i “BBC”-së nga Parisi, Kristian Fraser, thotë se fitorja e Holland në raundin e parë të zgjedhjeve i jep atij vrull për raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahen pas dy javësh. Analistët sugjerojnë që Sarkozi, lideri i partisë udhëheqëse të qendrës së djathtë, në qoftë se do të mbajë presidencën duhet të bindë votuesit e nacionalistes së ekstremit të djathtë, Le Pen.

Këto zgjedhje janë dominuar nga çështjet ekonomike, me votues të shqetësuar lidhur me rritjen e papunësisë.

Zonja Le Pen, e cila e mbështeti fushatën e saj në platformën anti-emigracion, tha se do të presë deri në maj për të vendosur se kë do të mbështesë në raundin e dytë. Sondazhet tregojnë se nga 48-60 % të votuesve të Lë Penit në raundin e dytë të zgjedhjeve do të votojnë për Sarkozinë. Por, sondazhet po ashtu parashikojnë normë të lartë abstenimi në raundin e dytë. Rreth një e pesta e votuesve mbështetën një parti – Frontin Kombëtar – që kërkon largimin nga euroja dhe rikthimin tek franga.

Për raundin e dytë të zgjedhjeve sondazhet parashikojnë që Holland do të fitojë pa vështirësi. Me daljen e rezultateve, ai tha se “ishte në pozitë të mirë për t’u bërë Presidenti i ardhshëm i Republikës” dhe se votuesit e kishin ndëshkuar Sarkozinë.

“Zgjidhja është e thjeshtë, - tha Holland, - ose të vazhdojmë me politikat përçarëse të Presidentit aktual ose të ri-ngremë përsëri Francën me një President të ri, unifikues”.

Presidenti aktual, Sarkozi- në pushtet prej vitit 2007 – tha se e kupton “ankthin që ndjejnë francezët në një botë të shpejtë”. Ai bëri thirrje për tre debate televizive përgjatë dy javëve të fushatës para zgjedhjeve të raundit të dytë – këto debate sipas tij duhet të përqendrohen në tri tema kryesore: Ekonomia, çështjet sociale dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Hollande e ka hedhur poshtë menjëherë idenë e tre debateve televizive. Ai tha para gazetarëve se një debat i vetëm, sikundër është edhe tradita –para raundit të dytë të zgjedhjeve ishte i mjaftueshëm, dhe se ai duhet të zgjasë “aq sa të jetë e nevojshme”.

Pjesëmarrja në votimet e djeshme në Francë arriti në 80%. Zonja Lë Pen, mori më shumë vota seç kishte marrë i ati në vitin 2002, i cili kaloi në raundin e dytë të zgjedhjeve me 16% të votave.

Francois Holland zotohet se do të jetë një “kandidat për të gjithë ata që duan ndryshim në Francë”.

Kandidati i majtë, Jean-Luc Melenchon, i cili u mbështet nga Partia komuniste, u rëndit i katërti në garën e djeshme me 12%. Ai u kërkoi mbështetësve të tij të mbështesin pa rezerva Hollanden në balotazh.

Kandidati i qendrës, Francois Bayrou, i cili shpresonte të arrinte suksesin e vitit 2007 me 18%, fitoi vetëm 9 % të votave.

Nëse në raundin e dytë do të fitojë Holland, ai do të bëhej Presidenti i parë i krahut të majtë në Francë që prej Francois Miteranit, i cili ka plotësuar dy mandate me nga 7 vjet dhe ka udhëhequr Francën nga viti 1981 në vitin 1995.

/Start/F. Prroni/

                                                                                             2012-04-23 11:22
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›