E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti i Ohrit: Evropa duhet të jetë e hapur për vendet e Ballkanit


Pa perspektivë Evropiane, Ballkanit Perëndimor do t’i mungonte e ardhmja politike dhe ekonomike. Është ky konstatim i përbashkët i 17 presidentëve të shteteve të Evropës Qendrore, pjesëmarës në samitin e Ohrit, të cilët i bëjnë apel Bashkimit Evropian që të hapë dyert për vendet e ballkanit perëndimor. Gjatë diskutimeve në këtë samit, ku temë kryesore ishin çështjet e integrimit euroatlantik, të bashkëpunimit rajonal, sfidat e zgjerimit të BE-së, si dhe mundësia për një ekonomi më të fuqishme e konkurruese, perspektivat e investimeve dhe përballimi i kërkesës gjithnjë e në rritje për energji, 17 presidentët e shteteve të evropës qendrore dolën në një konstatim konkret, për të ardhmen evropiane të ballkanit perëndimor. Presidenti slloven, Danillo Turk, vendi i të cilit kryeson BE-në, tha se asesi nuk guxon të lejohet që Ballkani të mbetet njollë e zezë në hartën e Evropës. Sipas tij, Maqedonia dhe Greqia duhet të gjejnë kompromis korrekt në grindjen për emrin. Ndërsa, Presidenti i Çekisë Vacllav Kllaus vlereson se Evropa nuk është pronësi e askujt, por u takon të gjitha vendeve. Bashkësia ndërkombëtare thotë Kllaus duhet të ketë paraqitje të unifikuar lidhur me këto çështje. Për presidentin e Kroacisë Stipe Mesiq në rajon ende ka forca jo evropiane të cilat BE-në nuk e kanë në agjendën e tyre. Samiti i 15-të i Presidentëve të vendeve të Evropës Qendrore, i mbajtur në Ohër, të Maqedonisë, ishte dëshmi e një pozicioni të ri të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, pas marrjes së ftesës për anëtarësimin në NATO, më 3 prill. Presidenti i Republikës Bamir Topi deklaroi se Evropa e Bashkuar nuk mund të jetë e plotë pa shtrirjen e saj drejt Ballkanit Perëndim gjatë fjalës së tij se “anëtarësimi në BE dhe NATO i vendeve të rajonit, ka kontribuar në përshpejtimin e reformave demokratike në vendet e përfshira në proceset integruese”. Ai rikonfirmoi qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe BE. “Marrja e ftesës gjatë Samitit të Bukureshtit përbën jo vetëm një moment historik në marrëdhëniet e saj me Aleancën, por njëkohësisht një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e saj”, u shpreh Presidenti Topi në fjalën e tij. Kreu i shtetit vlerësoi gjithashtu se punimet e Samitit të Ohrit i kontribuojnë forcimit të dialogut politik. “Me pjesëmarrësit në takim, ndryshe nga retrospektiva, u bashkuam në pika mjaft të rëndësishme, sikurse është domosdoshmëria që vendet tona të jenë pjesë e komunitetit europian. Do të ishte e pakuptimtë ndoshta që Europa të konsiderohej e plotësuar, pa vendet e Ballkanit dhe besoj se shumë shpejt do të ketë hapa të shpejtuar për të qenë shumë afër, me një status të plotë juridik në BE”, u shpreh Presidenti i Republikës. “Kosova, realiteti i ri në rajonin tonë”, sikurse u konsiderua nga z. Topi, ishte një tjetër temë që zuri vend në punimet e Samitit. “Republika e Kosovës, në bashkëpunim me BE-në, po ndërton programe reformash integruese në funksion të qëllimit të saj euroatlantik”, tha Presidenti shqiptar në fjalën e tij. Sipas tij, përfshirja e këtij realiteti të ri në proceset tona të përbashkëta do të ndihmonte zbatimin në rajon dhe Europë të projekteve politike dhe ekonomike, por sidomos atyre të sigurisë afatgjatë, duke dhënë garancinë se Ballkani Perëndimor është futur në një rrugë të pakthyeshme”. Gjatë punimeve të Samitit të Ohrit, Presidenti Topi u takua edhe me personalitete homologe si Presidentin turk Gyl, Presidentin çek, Klaus, Presidentin maqedonas Cervenkovski, Presidentin kroat Mesiç, etj, me të cilët bisedoi për intensifikimin e dialogut politik dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Presidentët e 17 vendeve të shoqëruar nga bashkëshortet e tyre, kanë vizituar Pllaoshnikun dhe katedralen e Shën Sofisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›