E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premtimet e mbajtura, pasaporta e kabinetit “Berisha”

Reformat e guximshme dhe premtimet e mbajtura të qeverisë të ndërmarra gjatë viteve të fundit kanë përmirësuar ndjeshëm imazhin e Shqipërisë në botë, duke e kthyer atë në epiqendër të komenteve mediatike për larmimë e rrallë që ofron për investimet e huaja dhe bukuritë përrallore në zonat turistike të paeksploruara nga një pjesë e madhe e vendeve të botës. Sipasojë e këtyre zhvillimeve dhe rezultateve të prekshme dhe konkrete, Shqipëria është në prag të daljes nga tranzicioni dhe drejt futjes në një epokë të re në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe stabilizimit politik. Nga Saranda, Kryeministri Berisha ka deklaruar se qeveria që drejton ai është qeveria e premtimeve të mbajtura. “Ju, e shihni se në qoftë se do të kishte një emër të dytë kjo qeveri do të quhet qeveria e premtimeve të mbajtura. Dua t’u siguroj se unë do të mbetem gjithnjë, për sa kohë shqiptarët më besojnë, një shërbëtor i qytetarëve shqiptarë, një besnik i palëkundur në premtimet e mia, një njeri i mbajtjes së fjalës së dhënë. Realizimi i premtimeve është përgjigja më e shkëlqyer që mund t’i jepet lumit të fjalëve boshe që vërshojnë 24 orë në 24 në hapësirën e këtij vendi”, deklaroi Kryeministri Berisha. “Ftesa e Shqipërisë për anëtarësim në NATO është pasaporta e re më e shkëlqyer për destinacionet turistike, por siç jeni dëshmitarë, përpjekjet e qeverisë time kanë qenë të jashtëzakonshme për ta shndërruar Sarandën në një qytet europian në kuptimin e infrastukturës së përshtatshme”, cilësoi z. Berisha. Ai nënvizoi se nga Orikumi në Ksamil janë investuar dhe do të investohen gjatë këtyre viteve mbi 200 milionë euro për një Sarandë dhe për një breg europian. Kreu i qeverisë vlerësoi se në dy vitet e fundit Shqipëria ka pasur ritmet më të larta në Europë në rritjen e turizmit. “Të gjitha agjencitë prestigjioze turistike dhe mediat ndërkombëtare e kanë renditur Shqipërinë si nga destinacionet turistike më të preferuara. Në krye të preferencës shqiptare qëndron Saranda me bukuritë e saj përrallore, me infrastrukturën dhe mikpritjen e saj”, theksoi Kryeministri. Ne, vijoi më tej Berisha, presim që këtë vit të tejkalojmë dyfishimin e turistëve të ardhur, krahasuar me verën e vitit të kaluar. “Rritja e turizmit, fuqizimi dhe zhvillimi i tij, si potenciali më kryesor për zhvillimin e vendit dhe shkëputjen e tij nga problemet e së shkuarës, është një nga objektivat më madhorë të qeverisë”, tha Kryeministri, i cili garantoi se “qeveria do të mobilizojë fonde të mëdha në mënyrë që t`i shndërrojmë brigjet tona, pse jo dhe malet e këtij vendi, në gjeneratorë të mëdhenj të pasurimit të qytetarëve shqiptarë”. Gjithashtu, Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga Saranda fillimin e turit në të gjithë Shqipërinë për të informuar qytetarët sesi po përdoren taksat e tyre për të ndërtuar atë që kryeministri e ka quajtuar Shqipëria Evropiane. Një nga projektet madhore mbetet rindërtimi dhe zgjerimi i 60 km rrugë të rrugës së bregdetit Jonian nga Palasa në Sarandë ku punimet kanë nisur në 6 segmentet e saj për të fuqizuar potencialin ekonomik dhe turistik të saj. Unë do të qarkoj Shqipërinë në cdo pëllëmbë dhe deri tani kam parë një vend në ndërtim”, u shpreh Berisha. Detyra ime është të bisedoj me qytetarët. Shqipëri është e tyre dhe jo e imja. Detyra ime është të bisedoj me qytetarët e Shqipërisë, se cilat janë projektet e qeverisë dhe si po i përdor qeveria paratë e taksapaguesve.
Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›