E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Europa nuk mund të jetë e plotë pa integrimin e Ballkanit Perëndimor

Gjatë punimeve të Takimit të 15-të të Presidentëve të vendeve të Europës Qendrore Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi dje në Ohër (Maqedoni), se “Europa e Bashkuar nuk mund të jetë e plotë pa shtrirjen e saj drejt Ballkanit Perëndimor”. Në fjalën e tij Kreu i shtetit theksoi se “nga takimi i fundit në Bërno e deri sot, kontinenti europian ka përjetuar ngjarje të rëndësishme, të cilat kanë pasqyruar jo vetëm ecurinë e suksesshme të proceseve integruese, por edhe domosdoshmërinë e ndjekjes së tyre”. “Në këtë dinamikë ndryshimesh janë përfshirë edhe vendet tona, të cilat, nëpërmjet mozaikut të stadit të tyre integrues, na ndihmojnë të kuptojmë historinë dhe të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët europiane”. Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi se “të qënit bashkë në këtë proces misionar, është rruga më e drejtë dhe më e shpejtë për t’i siguruar rajonit tonë stabilitet afatgjatë dhe zhvillim të qëndrueshëm”, ndërsa nënvizoi se “ky proces nuk është i njëtrajtshëm dhe ne kemi rënë dakord që këto sfida t’i përballojmë së bashku, duke ndarë përgjegjësitë dhe shkëmbyer përvojën e përfituar”. “Orientimi euroatlantik, pra anëtarësimi në BE dhe NATO i vendeve të rajonit, ka dëshmuar qartë se ka kontribuar në përshpejtimin e reformave demokratike, institucionale dhe ekonomike në vendet e përfshira në këto procese, duke e transformuar çdo ditë atë në një hapësirë bashkëpunimi, përgjegjësie, partneriteti dhe besimi reciprok”, u shpreh z. Topi. Ai rikonfirmoi “qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe BE. Marrja e ftesës gjatë Samitit të Bukureshtit përbën jo vetëm një moment historik në marrëdhëniet e saj me Aleancën, por njëkohësisht një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e saj”. Duke u ndalur tek procesi i stabilizim-asociimit, z. Topi tha se “ky proces ka përcaktuar një kuadër detyrimesh konkrete dhe një perspektivë të qartë në aspektin politik, ekonomik, social dhe në atë të sigurisë. Ratifikimi i MSA-së nga vendet anëtare të BE-së, do të vlerësonte realisht mundësitë dhe kapacitetet e Shqipërisë për paraqitjen e aplikimit për statusin e kandidatit në koordinim me partnerët tanë evropianë, duke i dhënë një shtysë inkurajuese të gjithë procesit integrues”. Në këtë kuadër Presidenti vlerësoi edhe “përpjekjet që duhet të bëjë secili prej vendeve anëtare të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore për të koperuar me vendet e tjera, për integrim në tregun e përbashkët evropian”. “Prania e grupeve serioze të investitorëve të huaj, me një potencial të konsiderueshëm ekonomik, dëshmon se vendet e rajonit të Ballkanit përbëjnë një mundësi reale për të përballuar dhe kapërcyer sfidat e integrimit në BE. Zgjidhja e krizës energjetike në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përballimi i kërkesës në rritje për energji, përveç investimeve për prodhimin e energjisë, natyrisht, kërkon investime për transferimin e energjisë nga një vend në tjetrin”, tha z. Topi. Ai u ndal edhe tek lëvizja e lirë e njerëzve, për të cilën nënvizoi se “realizimi i saj do të thyente konceptet e vjetra izoluese të Luftës së Ftohtë dhe do të rrëzonte përfundimisht muret ideologjike dhe politike midis popujve të ndërtuara në interes të kësaj Lufte”. Sipas z. Topi nënshkrimi dhe hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor jep shpresën se, vullneti dhe qëllimi i përbashkët politik i nënshkrimit të saj, do të japë shpejt frytet në praktikë. Presidenti i Republikës në fjalën e tij u ndal edhe tek Kosova, të cilën e konsideroi “një realitet krejt të ri në rajonin tonë”. “Republika e Kosovës, me të cilën shumica e vendeve kanë vendosur tashmë marrëdhënie diplomatike, po ndërton, në bashkëpunim të ngushtë me BE, programe reformash integruese në funksion të qëllimit të saj euroatlantik”, tha z. Topi.
Topi-Fisher: Shqipëria po realizon reformat kyçe për arritjen e standardeve integruese/Kreu i shtetit shqiptar takoi dhe zhvilloi bisedime dje me Presidentin Federal të Republikës së Austrisë, Hajnc Fisher. Zhvillimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i marrëdhënieve shumë të mira midis dy vendeve, ishte tema ku u përqendrua biseda mes dy personaliteteve të larta. Presidenti Topi shprehu mirënjohjen e shtetit shqiptar për mbështetjen e vazhdueshme, që Austria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e saj integrues në Bashkimin Europian dhe në strukturat e NATO-s. Kryetari i Shtetit bëri një panoramë të plotë dhe komplekse të zhvillimeve më të rëndësishme në Shqipëri në drejtim të realizimit të reformave kyçe, që synojnë arritjen dhe sa më të shpejtë dhe efikase të standardeve të larta dhe integruese për vendin. Presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit me palën austriake dhe strukturat homologe të drejtësisë austriake. Vlerësues është shprehur Presidenti Topi edhe për angazhimin ekonomik austriak në Shqipëri, nëpërmjet projekteve të ndryshme në fushën e energjetikës, infrastrukturës, sidomos asaj të furnizimit me ujë të pijshëm, në sektorin bankar, të financave, në spektrin artistik, kulturor etj., duke nxitur vijimin e mëtejshëm të këtij angazhimi. Temë e bisedës ishin dhe zhvillimet më të rëndësishme në rajonin e Ballkanit. Presidenti Topi vlerësoi angazhimin e shtetit austriak për njohjen e statusit të Kosovës dhe procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit perëndimor në BE. Ndërsa Presidenti austriak, Fisher, vlerësoi hapat e rëndësishëm përpara të Shqipërisë për integrimin në BE dhe në NATO, duke përshëndetur edhe një herë ftesën që Shqiëpëria mori në Samitin e Bukureshtit për anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut. Z. Fisher shprehu vullnetin e shtetit austriak për të vijuar mbështetjen për vendin tonë në proceset integruese në familjen e madhe europiane. Presidenti Topi i parashtroi edhe njëherë Presidentit Fisher dëshirën e palës shqiptare për realizimin e një vizite zyrtare në vendin tonë, në një kohë sa më të afërt. Ndërkaq, kreu i shtetit Bamir Topi, është takuar dje me Presidentin e Republikës çeke, Vaclav Klaus, ku shprehu vlerësimin për mbështetjen dhe angazhimin e Çekisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në NATO, si dhe për gatishmërinë e institucioneve çeke për të ofruar përvojën e tyre në këtë drejtim, bëri të ditur zyra e shtypit e Presidencës. Gjatë bisedës Presidenti Topi vlerësoi rolin konstruktiv dhe moderues të faktorit shqiptar në rajonin e Ballkanit dhe shprehu bindjen se njohja e pavarësisë së Kosovës është shumë e rëndësishme edhe për rajonin e më gjerë, si dhe për vetë sigurinë europiane. Kreu i shtetit ripërsëriti ftesën e bërë më parë Presidentit Klaus për të vizituar vendin tonë, për të cilën mori një përgjigje pozitive. Ndërsa Presidenti çek Klaus u shpreh, se Shqipëria e meritoi plotësisht ftesën për në NATO, vlerësoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur vendin tonë në përmbushjen e aspiratave të tij integruese duke ndarë edhe përvojën e vlefshme në këtë drejtim të Çekisë. Gjithashtu në kuadër të punimeve të Samitit të Ohrit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi pati një takim pune edhe me Presidentin e Sllovenisë, Danilo Tyrk. Kreu i shtetit vuri në dukje mundësitë që ekzistojnë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike, duke u nisur nga fakti që ekziston kuadri i nevojshëm ligjor për nxitjen e investimeve në Shqipëri, si dhe mundësitë e bashkëpunimit në fusha të tilla si, në transport, në sektorin e naftës dhe në atë energjetik etj. “Kësaj do t’i kontribuonte dhe lehtësimi i regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë, pas vendimit të Komisionit Europian”, nënvizoi Presidenti i Republikës. Kreu i shtetit shqiptar i transmetoi Presidentit slloven Danilo Tyrk, dëshirën për të rritur e intensifikuar vizitat e niveleve të larta mes dy vendeve tona, duke e ftuar në këtë kuadër për një vizitë zyrtare në vendin tonë. Nga ana e tij, Presidenti slloven Tyrk, pasi shprehu kënaqësinë për takimin dhe urimet më të mira për ftesën që Shqipëria mori nga Samiti i Bukureshtit për t’u anëtarësuar në NATO, theksoi se do të punojë në drejtim të promovimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe atij të biznesit, duke shprehur njëkohësisht edhe gatishmërinë për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri në të ardhmen e afërt

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›