E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti i klimës, dy ditët vendimtare për arritjen e marrëveshjes



Negociatat në samitin për klimën në Kopenhagen kanë hyrë në dy ditët e fundit, por ende nuk ka asnjë shenjë për arritjen e një marrëveshjeje. Udhëheqësit botërorë mblidhen në kryeqytetin danez për konkluzionet e kësaj mbledhjeje dyjavore. Dallimet vazhdojnë të jenë lidhur me çështjen e reduktimeve të emetimeve të gazrave që shkaktojnë efektin serë, sa të mëdha duhet të jenë ato dhe sa financime duhet të jepen për vendet e varfëra që ato t'i përshaten ndryshimeve klimatike. Kryeministri kinez, Uen Zhiabao, tingëlloi optimist. Ai tha se Pekini dëshironte të bashkonte forcat me komunitetin ndërkombëtar për ngrohjen globale. Por një zyrtar kinez i përfshirë në negociatat u citua të ketë thënë privatisht se nuk shikonte ndonjë mundësi për një marrëveshje operative. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, tha se kishte shpresë që delegatët do t'i linin mënjanë dallimet dhe të bënin përparim të vërtetë në takim. Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Obama, që pritet të premten në samit, ka besim se do të sigurohet një marrëveshje për emetimet e karbonit. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs, tha se Obama besonte se një marrëveshje operative ishte e mundshme. Ndërsa kryeministri britanik Gordon Braun, i cili ndodhet në Kopenhagen tha se ishte një moment kritik për samitin. "Ka mundësi që ne të mos arrijmë një marrëveshje dhe është gjithashtu e vërtetë që ka shumë çështje për t'u zgjidhur", është shprehur Braun.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›