E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti per krizen Eurozona gati per mbledhjen e jashtezakonshme

Liderët e 17 vendeve të Eurozonës, shefat e bankave qendrore dhe komisionerë plus pritet të mbajnë një samit të jashtëzakonshëm në përpjekje për të siguruar financimin e Greqisë dhe shmangur falimentimin e saj. Urgjenca për të përmbyllur një plan ndihme për Greqinë që vlen 120 miliardë euro, vjen pasi bonot italiane dhe spanjolle u rritën me shpejtësi javën e kaluar, duke treguar se sa lehtë kriza e borxheve si ajo greke mund të gjejë hapësirë në Eurozonë.

Përpjekjet janë përqëndruar për të shpëtuar monedhën e përbashkët europiane, e cila ndodhet në rrezik, dhe këtë e pohojnë tashmë, shumica e analistëve dhe autoriteteve qeveritare. Në kompleksitetin e kësaj çështje, tashmë, nuk përjashtohet as zhvlerësimi i përkohshëm i bonove greke deri në një nivel falimenti të pjesshëm.

Një skemë e tillë ka qenë tabu për ministrat e financave dhe ende është për Bankën Qendrore Europiane, por problemi është se mundësitë e tjera për të dalë nga kriza janë të kufizuara dhe kufizohen nga njëri samit i BE-së në tjetrin. Kancelarja gjermane, Angela Merkel kishte paralajmëruar publikisht një ditë më parë për të mos mbajtur shpresa të mëdha te diskutimet e përfaqësuesve të lartë te vendeve të Eurozonës.

“Një zgjidhje spektakolare për problemet e borxheve nuk do të ketë në takimin e së enjtes në Bruksel, tha ajo. Merkel pret në Berlin presidentin francez Nicolas Sarkozy, ndërsa ka biseduar për cështjen edhe me presidentin amerikan Barack Obama. Përveç një paketë të dytë shpëtimi për Greqinë me shumë borxhe, në samit do të diskutohet edhe për zgjidhje afatgjata për forcimin e euros.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›