E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita ne tryeze PS Duam garanci nga nderkombetaret

Forca kryesore e opozitës do të jetë pjesë e komisionit të reformës zgjedhore, por duke kërkuar garancinë e partnerëve ndërkombëtarë që procesi do të jetë demokratik. Këtë qëndrim shpreh deputeti socialist Ditmir Bushati pas thirrjes së zyrtarëve të Brukselit për bashkëpunim mes palëve për reformat. Ai thotë se opozita do të jetë në shtator në  parlament dhe do të japë kontributin  e saj për të garantuar që do të ketë rezultate konkrete për reformat.

“Nuk përjashtohet pjesëmarrja në të gjitha komisionet dhe nivelet ku roli i opozitës është i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Dialog për dialog nuk do të ketë, por do të duhet të ketë një proces të shëndetshëm demokratik që do të garantohet nga ata që e kanë mbështetur demokratizimin e Shqipërisë në vite dhe e kam fjalën për partnerët ndërkommbëtarë, për trojkën që ka qenë shumë pranë zhvillimeve në Shqipëri gjatë viteve”-tha Bushati.

Ndërkohë, Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu uron që opozita t'i mbetet qëndrimit të saj më të fundit për t'u bërë pjesë aktive në parlament duke votuar ligje që janë kusht për procesin integrues.

"Uroj shumë që të mos ketë ndryshim të mendjes dhe kursit gjatë shtatorit, por e rëndësishme është që opozita në shtator në parlament të angazhohet për komisionin e reformës zgjedhore. Të angazhohet për të votuar ligjet me 3/5, sepse nëse kjo opozitë me të vërtetë do të kishte dashur të ndryshonte kodin zgjedhor të cilin në një moment të caktuar Edi Rama gabimisht e ka votuar dhe ka dhënë konsensus, pasi qenka një kod që i bën shumë dëm, dakord, do ta ndryshojë. Nëse nuk e bën është vetëm propagandë politike"-tha Bregu.

Në tetor Komisioni Europian do të publikoj raport progresin për Shqipërinë, ndërkohë që janë 12 kushtet e vendosura nga Brukseli për marrjen e statusit te vendit kandidat, të parealizuara për shkak të mungesës së dialogut politik mes palëve.

Taulanta Boja
Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 20 korrik 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›