E Diel, 1 Nëntor 2026

Sandri, i çuditur nga Samiti për KlimënNga Antena brenda familjesSandri dje ishte i çuditur nga Samiti për Klimën. Doktori shkoi aty i shoqëruar nga Fatmir Mediu. Të gjitha vendet kishin problem të merreshin vesh me njëra-tjetrën për problemet e emet

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Sandri, i çuditur nga Samiti për KlimënNga Antena brenda familjesSandri dje ishte i çuditur nga Samiti për Klimën. Doktori shkoi aty i shoqëruar nga Fatmir Mediu. Të gjitha vendet kishin problem të merreshin vesh me njëra-tjetrën për problemet e emetimit të gazit të karbonit. I vetmi që nuk kishte asnjë problem, ishte Shqipëria. Kjo i çuditi të gjithë. Dhe vetë Sandri s’po e kuptonte çelësin e këtij suksesi.
- Si ka mundësi që ne s’kemi problem me normat e karbonit? - i tha Sandri doktorit në telefon.
- Sandër, dëgjo, ishte një takim i shkëlqyer, një organizim i mahnitshëm, mijëra flamuj dhe një skenografi fantastike. Salla shumë luksoze…
- Po, po, doktor, po thonë që s’po merren vesh…
- Sandër gënjejnë, e kupton vetë ti. Të gjithë me dorë në qafë me njëri-tjetrin. Asnjë nuk pashë të shahej dhe të fyente dikë. Duket që janë marr vesh, të mos merren vesh.
- Po fjalimi yt si u prit?
- Shkëlqyeshëm Sandër. Dëgjo, unë fola te seksioni i vendeve të pazhvilluara, po u prit me interes dhe nga vendet e zhvilluara. U thashë që do bëhemi superfuqi e energjisë së gjelbër. U çuditën dhe e pritën shumë mirë. Erdhi përfaqësuesi i Kanadasë, më falënderoi përzemërsisht. “Kjo është një gjë e madhe, - tha, - një shembull shumë i madh. Më vjen keq çfarë u ka ndodhur në regjimin komunist, si vend dhe si popull, por kjo që po bën qeveria juaj me investimet për energjinë e gjelbër, është madhështore.” Pastaj më pyeti se cilat janë investimet tona si qeveri. I thashë, po ndërtojmë një nga TEC-et më të mëdha në rajon me qymyr buzë detit në Durrës dhe një TEC me naftë në Vlorë, po ashtu buzë detit. U çudit shumë. “Si ka mundësi, - tha, - që do ndërtoni TEC me naftë dhe qymyr dhe thoni që është energji e gjelbër?!” Nuk e kuptojnë Sandër. I thashë, nafta dhe qymyri janë lëndë djegëse me bazë natyrore, biologjike. Janë bio, janë të gjelbra d.m.th. Sandër, nuk e kuptonte. Pastaj ndryshoi bisedën me takt dhe tha: “Sidoqoftë, më kanë thënë se ju keni ndërtuar hidrocentrale të mëdhenj mbi lumenj dhe prodhoni 60 për qind të energjisë prej tyre.” I thashë, në fakt ata janë ndërtu gjatë komunizmit dhe se ne po ndërtojmë TEC-e, por sidoqoftë ai u hutua dhe nuk e kuptoi. Shiko Sandër, kemi një problem, se duhet të marrim kompani të forta lobingu, se nuk na njohin. E pashë që pak më tutje po i thoshte ky kanadezi britanikut që, “nga Shqipëria paska ardhur një i vjetër i regjimit komunist, nga ata që kanë ndërtuar hidrocentrale të mëdha dhe po lavdërohet për energjinë e gjelbër. Por është interesant, - i thoshte, - që nuk po e shan këtë qeverinë e re që ka ndërtuar TEC me qymyr dhe naftë.” “Janë të ngatërruar shqiptarët, - i tha ai tjetri, - mos u merr me ta.” Sandër, na duhet shumë punë. Për lobim.
- Po ja, të bëjmë ndonjë reklamë në TV doktor, se jemi keq me reklama. Deri tani vetëm Ben Imami dhe Luli më kanë ndihmuar, që kanë porosit reklama. Të bëjmë dhe ndonjë tjetër. Ja ky Mediu të bëjë një reklamë për energjinë e gjelbër për shembull...
- Sandër, tani puna e Mediut është delikate. Deshi të fliste dhe ai për mjedisin. Por pyetja e parë që i bëri një italian ishte: “A u pastrua mjedisi nga shpërthimi i tmerrshëm i Gërdecit?” U kompleksua dhe u skuq në fytyrë. E humbi qetësinë, Sandër, e shau nëpër dhëmbë. Nejse, ndërhyra unë pastaj, i thashë që gjithçka është normale, ata janë banorët më të lumtur të Shqipërisë, u kemi bërë shtëpia, s’kemi parë krah politik, se kush kanë qenë, i kemi ndihmuar të gjithë njësoj. Madje u thashë që unë kam dalë më i humbur, se më vdiq baxhanaku aty dhe s’i kam dhënë asnjë ndihmë.
- Nejse doktor, po për këto fabrikat e çimentos dhe centralin atomik, çfarë thanë?
- I pëlqyen shumë, Sandër. U thashë, do t’i bëjmë me energji të gjelbër. Disa nuk e kuptonin dhe kërkonin sqarime, por nuk ua dhashë, se ashtu bëhen më shumë kuriozë. Është më mirë të lodhen pak. Në fakt, nuk e kuptonin. Kur u thosha unë që do ta mbush bregdetin me TEC-e me qymyr dhe fabrika çimentoje, dhe do bëhemi superfuqi energjitike, superfuqi industriale, superfuqi turizmi, nuk e kuptonin. “Ose njëra, ose tjetra, zoti Berisha”, - më thoshin. Nuk e kuptonin Sandër, duhet shumë punë. Nuk e kuptonin se ne mund t’i bëjmë të gjitha.
- Nejse, mund t’ua specifikoje doktor, t’ua ilustroje me shembuj konkretë, p.sh., merrje Lezhën dhe u thoshe fabrikat e çimentos i bën Zeni me Bashkimin, fshatrat turistikë ngjitur me to, unë me Samirin, TEC-in, Argita. Se me shembuj e kuptojnë ata doktor. Se mendojnë që do t’i bësh ti të gjitha. I thuaj, e shpërndaj punën në disa njerëz.
- Dakord Sandër, nuk është se nuk ua them, po nuk e kuptojnë, nuk e besojnë që ne mund t’i bëjmë të gjitha, dhe turizmin, dhe çimenton, dhe TEC-et. Janë të çuditshëm d.m.th. Zihen këtu për shifra koti. U thashë, rregullojini shifrat, s’keni pse ziheni për to. Po janë të çuditshëm d.m.th., s’kam parë njerëz të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›