Lohan dorëzon pyetësorin: Zgjidhni sa më shpejt ngërçin politikNga TemaShefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Helmuth Lohan, i dorëzoi dje kryeministrit, Sali Berisha, pyetësorin, i cili nevojitet për të vlerësuar përgatit
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Lohan dorëzon pyetësorin: Zgjidhni sa më shpejt ngërçin politikNga TemaShefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Helmuth Lohan, i dorëzoi dje kryeministrit, Sali Berisha, pyetësorin, i cili nevojitet për të vlerësuar përgatitjen e vendit për të përmbushur detyrimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Po dje, në prani të medieve, kryeministri Berisha i dorëzoi pyetësorin ministres së Integrimit, znj. Majlinda Bregu.
Duke folur për mediet pas marrjes së pyetësorit, Berisha e quajti dhe këtë një moment historik. “Një muaj pas vendimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për të pranuar kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, ambasadori i Bashkimit Evropian, z. Helmuth Lohan, më dorëzoi, në emër të Komisionit, pyetësorin me mbi 2260 pyetje në 384 faqe, i cili duhet të plotësohet nga autoritetet shqiptare dhe t’i dorëzohet Komisionit pas plotësimit të tij”, - tha Berisha.
Kryeministri gjeti momentin dhe të bëjë ironi me krizën politike, kur ftoi kryetarin e opozitës, të cilin e quan çdo ditë mafioz, që të dalin së bashku në një konferencë për shtyp dhe të përshëndesin këtë moment.
“Gjithashtu, unë shfrytëzoj këtë rast për të ftuar kryetarin e Partisë Socialiste që së bashku ta përshëndesim në një konferencë shtypi këtë moment historik për të gjithë shqiptarët, si një dëshmi e vullnetit të përbashkët të forcave politike për të kontribuar në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. E siguroj se qeveria mbetet shumë e hapur për të dëgjuar zërin e opozitës, ekspertëve të saj, në të gjithë problematikën e madhe që trajton pyetësori”, - tha Berisha.
Ndërsa ambasadori Lohan theksoi pikërisht nevojën e daljes së vendit nga kriza politike.
“Unë do të dëshiroja që të theksoja edhe një herë rëndësinë tepër të madhe të atyre që quhen kriteret politike, funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, sundimin e ligjeve apo shtetit të së drejtës, respektin e të drejtave për minoritetet. Komisioni Evropian do t’i analizojë me kujdesin më të madh përgjigjet që do të jepen. Po ashtu, Komisioni Evropian do të përpiqet që të bëjë një vlerësim të ecurisë së prekshme që do të jetë bërë pikërisht në këto fusha. Sigurisht, bëhet fjalë për ato aspekte që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit apo me shtetin e së drejtës, me luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar”, - tha Lohan.
“Ecuria apo progresi i mëtejshëm drejt Bashkimit Evropian kërkon reforma të mëtejshme, reforma të vështira. Në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian këto reforma të vështira duhet të bazohen në konsensusin më të gjerë të mundshëm. Për këtë arsye ne e themi dhe njëherë se vendi për debatin politik është në parlament. Dhe për ta thënë atë me fjalët e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE, në konkluzionet apo përfundimet që ky Këshill ka nxjerrë: Bashkimi Evropian iu bën thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri që të ndjekin një dialog politik konstruktiv duke u përfshirë në parlament. Unë e mbajta shënim thirrjen që u bë nga kryeministri për të hapur këtë dialog.
Unë e nisa fjalën time duke ju uruar dhe duke ju përcjellë urimet më të mira për Vitin e Ri, ndërkohë që dëshiroj të jap disa urime të tjera. Ne, Komisioni Evropian, me të gjithë forcën tonë të mundshme, urojmë që ky ngërç në situatën politike në Shqipëri të tejkalohet përpara ose në fillim të vitit që vjen, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë përpara, ashtu siç dëshirojnë dhe siç e meritojnë të gjithë qytetarët shqiptarë”.