E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet në Bari italiani me 20 kilogramë heroinë

 BARI/ ITALI - Bllokohen në portin e Barit 20 kg heroinë, të nisura nga Shqipëria. Droga u zbulua në makinën e një shtetasi italian, në momentin kur po kryheshin procedurat e kontrollit pas zbritej nga trageti. Policia kufitare dhe Guardia di Finanza ushtruan kontroll në makinën e 44-vjeçarit Mikele Grosi, nga Foxhia, i cili njihej si person me precedent penalë. Fillimisht, ai ka tentuar që t'i shpëtojë kontrollit të policisë, duke u hequr si inspektor policie. Por shumë shpejt është konstatuar se dokumenti i paraqitur prej tij ishte fals. Duke u shtuar dyshimet, forcat e policisë ushtruan kontroll në makinën e Grosit, tip "Fiat Punto". Në bagazhin e makinës u gjetën plot 20 kg drogë, e llojit heroinë, e cila ishte e ndarë në 37 pako. Vlera e heroinës në treg përllogaritet në rreth 500 mijë euro. Policia italiane nisi hetimet mbi këtë linjë të trafikut të drogës, e cila sipas tyre ka nisur në Shqipëri. Dyshohet se Grosi të jetë nisur nga Porti i Durrësit, duke i shpëtuar lehtësisht kontrollit në sheshin e trageteve. Hetuesit mendojnë se 44-vjeçari është një korrier, i vënë në shërbim të një organizate që furnizon tregun puliez. Pas bllokimit të drogës dhe arrestimit të Mikele Grosit, policia italiane po punon për të zbardhur prej tij emrat e personave të përfshirë në trafik. Po dje, policia italiane arrestoi dy trafikantë drogë, të cilët u zbuluan pasi tërhoqën nga banka një shumë prej 55 mijë eurosh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›