Sandri propozon tender me VKM për përmbytjetNga Antena brenda familjesSandri e mori seriozisht deklaratën e doktorit që në Lezhë ka efekte të forta të ngrohjes globale. U ul shpejt e shpejt të skiconte ndonjë ide se si mund ta përdorte këtë për ndonj
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Sandri propozon tender me VKM për përmbytjetNga Antena brenda familjesSandri e mori seriozisht deklaratën e doktorit që në Lezhë ka efekte të forta të ngrohjes globale. U ul shpejt e shpejt të skiconte ndonjë ide se si mund ta përdorte këtë për ndonjë tender për të shpëtuar Lezhën. Thirri në ndihmë dhe axhën e vet, që është i ngarkuar për harxhimin e fondeve të qeverisë për ujërat në Lezhë.
- Kemi dy lajme, - i tha Sandri. - Lajmi i hidhur është se Lezha qenka caktuar nga i Madhi si vendi që preket nga ngrohja globale…
- Mos bre, - i tha xhaja. - Po ç’i kena ba Zotit na mor Sandër?! Dhe kishën e fshatit, kur e kena prishë, ne të fundit kena shku, e kishin prishë tjert. Na veç nji gur hoqëm.
- S’di ç’me të thënë. Ne të fundit shkojmë gjithmonë, po ngecemi të parët pastaj. Nejse, prit të të them lajmin e dytë.
- Jo mor Sandër, se më mërzite shumë. Po kush flet me këtë të Madhin Zot, mor burrë, që e paska caktu Lezhën?
- Po jo mor budallë, se nuk e ka caktu Zoti, e ka caktu Doktori, se atij i them i Madhi unë.
- Po fol mor burrë, se na ngrive gjakun. Na thuj të dytin.
- Lajmi i dytë është se ne mund ta përdorim këtë ngrohjen globale, t’i marrim doktorit ca fonde për sistemin e ujërave në Lezhë. Ti më thuaj ca gjëra, se e bëj vetë unë projektin dhe tenderët. Futi nja gjysmë miliard euro, se këtë mandat s’kemi më Rrugë të Kombit, do bëjmë Kanale të Kombit. Këto janë kanalet që do shpëtojnë kombin tonë nga zhdukja.
- Sandër, po më trondit. S’duhen bre aq lekë. Shumë pak duhen. Unë me 1 milion euro mundem me ba zap krejt ujërat e Lezhës. Këta të ministrisë teme thonë kena harxhu 50 milionë e s’i kena qetësu. Ça të them unë, Genc Ruli i qetë më duket. Ose do qetësohet ministri, ose ujërat. Të dyja s’bën.
- Hajt mo burrë se e zgjidh unë atë punë, ti veç më shkruaj ca gjëra se flas me doktorin tani.
Ndërsa axha nisi me mendu për të gjet ku të harxhohen lekët, Sandri u lidh me doktorin.
- Si është kjo puna e katastrofës doktor, se na trembe..?
- Sandër, është keq puna.
- Po s’dihet doktor, se mos kemi fat dhe mos pushon shiu.
- A..a Sandër, s’e ditke ti?! Është ma keq. Me pushu shiu, shkrin bora e krejt uji na mbyt prapë.
- Atëherë ishalla shton bora.
- Jo Sandër, se në pjesën poshtë kthehet në shi dhe na mbyt krejt.
- Po pse s’thu ti që paskemi shku për lesh ne, keq me rënë shi, keq me rënë borë, boll më keq akoma me dalë dielli.
- Sandër, e kemi keq. E vetmja shpresë është se ndoshta ulen temperaturat nën dhjetë gradë gjithandej që të ngrijnë ujërat se na vuri uji përpara.
- Me shku aq temperatura, s’ka nevojë me liberalizu vizat, se ikën krejt Shkodra në Venecia me ski.
- Sandër, është keq puna. Fola dhe me këta të qeverisë, u thashë është katastrofa më e madhe natyrore. Dhe na ka gjet pas vitit të ri, pa rroga, pa pará, pa buxhet.
- Po bë një tender urgjent doktor, me VKM dhe t’i vihemi punës. Një firmë e kam unë, një e ka Samiri, thërrasim dhe Bashkimin, kë kemi tjetër, atë burrin e Albanës, Rrahmanin, të gjithë dhe e bëjmë…..
- Sandër, nuk asht aty puna, por s’mundemi me e bë me prokurim direkt.
- Po e ka ligji doktor, ku ka katastrofa natyrore, bëhet me VKM direkt, siç u bë Rruga e Kombit. Ajo s’ishte urgjente dhe u bë me VKM.
- Sandër, dakord, nejse, mirë, jo xhanëm e bëjmë, nejse, s’është aq e lehtë, s’di ç’të bëj d.m.th., është shumë keq, nuk e di, por është keq. Ka mundësi me shpërthy diga dhe për 5 minuta uji është në Shkodër... As me dalë nga shpia s’kanë kohë njerëzit.
- Shiko doktor, unë them bëj një tender, se punë që rregullohet. Ashtu duket sikur nuk bëhet, po bëhet. Mendoje një herë. Se fola pak dhe me axhën në Lezhë, i thashë atë punën e ngrohjes globale ta përhapë gjithandej. “Dakord”, - më tha, dhe e kam vënë të bëjë dhe ai një plan ç’duhet të bëjmë për Lezhën.
- Sandër, dakord, mirë, nuk kam kundërshtim, por shiko, nuk është mirë puna. Se dhe Jozefinën e kishin sharë në Dajç, çfarë s’i kishin thënë domethënë. I ka fut ai Tom Doshi më duket. I thoshin: “Fshati digjet, kurva krihet” d.m.th. Shumë të ndyrë. Nejse, kanë të drejtë Sandër, janë nën ujë. U thashë, ikni, se ua ruan qeveria shtëpitë. A e di ç’më thanë Sandër? “Si me na rujt qeveria shtëpitë tona mor burrë, si me i varë ujkut mëlçitë në qafë.” I ka nxitë Edvini, Sandër. S’ka mundësi. Ata njerëz kanë qenë me ne, kanë votu për ne. Si ka mundësi me e sha Jozefinën ashtu si e kanë sha. S’bën vaki.