PS: Prokuroria të hetojë abuzimin me investimet në parandalimin e përmbytjeveNga TemaDeputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, tha dje se kryeministri, Sali Berisha dhe qeveria e tij janë fajtorë për gjendjen e krijuar, pasi ata nuk kanë vënë dorë p
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
PS: Prokuroria të hetojë abuzimin me investimet në parandalimin e përmbytjeveNga TemaDeputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, tha dje se kryeministri, Sali Berisha dhe qeveria e tij janë fajtorë për gjendjen e krijuar, pasi ata nuk kanë vënë dorë për të forcuar masat mbrojtëse në rast emergjencash të tilla. Beqja akuzoi qeverinë se ka abuzuar me fondet që ishin premtuar për këtë çështje dhe i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë në këtë drejtim.
“Partia Socialiste është e shqetësuar për situatën e vështirë në të cilën ndodhet banorët e disa komunave të Lezhës dhe të Shkodrës.
Edhe sot që po komunikojmë me publikun situata mbetet e rëndë në Obot, sepse niveli i ujërave nuk ka lëvizur, situata mbetet emergjente në Darragjat dhe Samrisht të Vjetër, sepse rrezikon të çahet argjinatura, tek e cila nuk është vënë dorë prej 22 vjetësh.
Partia Socialiste vazhdon të jetë pranë njerëzve që po kalojnë ditë të vështira, pranë banorëve të Anës së Malit e të Dajçit, banorëve të Velipojës e të Bërdicës, banorëve të Vaut te Dejës e të Gurit të Zi, banorëve të Shëngjinit e të Tales.
Urojmë e shpresojmë që askujt të mos i cenohet jeta, pasi ata janë sot në mëshirë të motit dhe fatit e të braktisur nga qeveria e tyre.
Por situata aktuale nxjerr në pah paaftësinë e qeverisë për të parashikuar e parandaluar emergjenca të tilla. Nuk është nevoja që Sali Berisha të bëjë parashikuesin e motit apo drejtorin e Emergjencave Civile.
Situata që po kalojmë nuk mund të justifikohet me kapriçot e motit. Shqiptarët nuk e kanë dëgjuar për herë të parë baticën, kur ua shpjegoi Sali Berisha, por qeveria e Sali Berishës nuk ka marrë asnjë masë për të përforcuar argjinaturat në Tale. Edhe paratë e shpenzuara në vitin 2006 për të mbrojtur Lezhën e Shëngjinin nga përmbytjet kanë shkuar në xhepat e oborrit të Familjes në pushtet. I bëjmë thirrje prokurorisë të hetojë fatin e këtyre investimeve”, - tha Beqja.
Deputeti socialist tha se qeveria gjithashtu ka blerë energji për interesa korruptive, ndaj nuk tregon se cili ka qenë niveli i hidrocentraleve në nëntor.
“Dajçi dhe Ana e Malit rrezikojnë nga ujërat që shtohen nga hapja e digave, por askush nuk merr guximin të tregojë sa ka qenë niveli i liqeneve të hidrocentraleve në fillim të nëntorit. Sali Berisha i fsheh këto lajme, sepse shqiptarët do të kuptojnë se për interesa të oborrit të Familjes në pushtet ka vazhduar të importohet, edhe pse liqenet kanë pasur ujë mbi nivelet e mjaftueshme. Edhe për këtë çështje, Partia Socialiste kërkon hetim. Prokuroria të hetojë mbi këtë çështje, me pasojë dëme të mëdha financiare dhe materiale”, - tha Beqja.
Sipas tij, banorët po refuzojnë që të largohen nga banesat, për shkak se e dinë që askush nuk do i kompensojë, ashtu siç ka ndodhur dhe në raste të tjera fatkeqësish.
“Ngurrimi i banorëve të Obotit për të lënë shtëpitë është i përligjur, sepse ata janë dëshmitarë të dështimit të kompensimeve të tërmetit të shtatorit në Shupenzë, të përmbytjeve në Lezhë në fillim të nëntorit, të përmbytjeve të Vjosës në fillim të dhjetorit. Kjo është dëshmi e qartë e paaftësisë së qeverisë së Sali Berishës për të përmbushur detyrimet që ka ndaj qytetarëve të Shqipërisë”, - u shpreh deputeti socialist.
PD: E përballuam me dëme minimale fatkeqësinë
Partia Demokratike deklaroi se opozita ka si alternativë të saj vetëm fatkeqësitë natyrore. Duke iu përgjigjur deputetit socialist, Ilir Beqja, zëdhënësja e PD, Erla Mëhilli, tha se fatkeqësia është përballuar me dëmet minimale.
“Edi Rama dhe bllokmenët e rinj, pasi kaluan pushimet e fundvitit në Burj Al Arab dhe detërat e nxehta, u sollën sot shqiptarëve si urim, “Rroftë përmbytja!” Deklarata e sotme e Edi Ramës për përmbytjet është dëshmi tjetër se ai alternativë të vetme për shqiptarët ka fatkeqësinë natyrore.
Ndërkohë ju informojmë se reshjet dhe vërshimet e mëdha që rritën në dhjetëra e dhjetëra herë prurjet në lumenjtë e Matit, Drinit të Zi, Drinit të Bardhë e degëve të tyre, në lumin e Gashit, Valbonës, Currës dhe në lumin e Shalës u përballuan me dëmet më minimale.
Kjo së pari për shkak të angazhimit total para dhe mbas natës së ndërrimit të viteve nga autoritetet lokale dhe qendrore për menaxhimin e situatave emergjente dhe së dyti nga pritat dhe argjinaturat e ngritura në lumin e Matit, në atë të Drinit, Kirit e Vjosës, të cilët përballuan vërshimet e papara të këtyre lumenjve gjatë dhjetëditëshit të fundit.
Partia Demokratike shpreh edhe një herë vlerësimin dhe mbështetjen e saj më të madhe për qytetarët e këtyre zonave, qeveritarët vendor të të gjitha niveleve, për forcat e Policisë së Shtetit, Emergjencat Civile dhe ato të Ushtrisë, Bordeve të Kullimit, të cilët bënë që këto momente kritike të përballohen pa humbje jetësh dhe me dëme plotësisht të kompensueshme”, - tha zëdhënësja e PD.