E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sanino Nisni dialogun Te perfshihet shoqeria civile

Drejtori për zgjerimin në Komisionin Europian, Stefanno Sanino kërkon nga politika shqiptare të nis dialogun dhe bashkëpunimin për rekomandimet e Bashkimit Europian. Vizita e zyrtarit të lartë të KE-së në Tiranë vjen një javë pasi Shqipërisë iu refuzua statusi I vendit kandidat në BE. Gjatë takimit me ministrin e jashtëm, Edmond Haxhinasto, Sanino kërkon që politika të përfshijë në pjesën e debatit edhe grupet e shoqërisë civile. Ai ka kërkuar angazhimin e të gjitha palëve politike si dhe arritjen e një dialogu politik në interes të procesit të integrimit.

“Jam këtu për të ndihmuar perspektivën europiane të Shqipërisë. Ne duam të shikojmë lëvizje konkrete nga ana e politikës për axhendën e BE. Ajo që është e rëndësishme për ne është që të afrojmë sa më shumë axhendën europiane. Ne duhet të bashkëpunojmë me të gjithë përfaqësuesit politikë dhe të shoqërisë civile dhe ta bëjmë të qartë se perspektiva europiane e Shqipërisë do të bëhet realitet”- tha Sanino.

Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto theksoi se qeveria shqiptare do të ketë si axhendë prioritare 12 rekomandimet e Bashkimit Europian. Dhe theksoi se detyrat e brukselit për Shqipërinë ishin pjesë e diskutimit me zyrtarin e lartë europian në ministrinë e jashtme.

“Kemi shkëmbyer mendime mbi hapat e reja që duhet të ndërmerren për të konkretizuar atë vullnet politik të shprehur, për të quajtur integrimin si prioritetin kryesor në këtë vend dhe për të realizuar 12 prioritetet e vendosura para Shqipërisë nga BE”- tha Haxhinasto.

Kjo është herë e tretë brenda këtij viti që drejtori për zgjerimin i Komisionit Europian viziton Tiranën zyrtare. Në të treja takimet, axhendë prioritare e tij ka qenë procesi dhe zbatimi i 12 rekomandimeve që i janë lënë klasës politike shqiptare.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›