E Diel, 1 Nëntor 2026

Sannino: Shqipëria në rrugën e duhur për integrimin. Berisha: Axhenda e vetme e Shqipërisë është ajo evropiane

06-02-2012 / Gazeta 55

Kryeministri takon Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në KE, Stefano Sannino

Kryeministri Berisha u takua sot me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino për axhendën evropiane të Shqipërisë.
Sannino shprehu besimin për çuarjen përpara të axhendës evropiane si edhe vlerësoi zhvillimet pozitive të muajve të fundit, të cilat kanë sjellë një normalizim të klimës politike, duke theksuar se BE ndjek me interes progresin në reformën zgjedhore, atë parlamentare, miratimin e ligjeve me 3/5, si dhe përgatitjen e Planit te Veprimit.
Nga ana e tij kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesve të tij në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ai rikonfirmoi se integrimi evropian mbetet prioriteti kryesor i qeverisë shqiptare. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi pozitivisht normalizimin e jetës politike në vend që pasoi në nënshkrimin e marrëveshjeve në fund të vitit 2011. Kryeministri theksoi se zhvillimet e shkuara kanë vënë në pah rolin themelor dhe rëndësinë e padiskutueshme të respektimit, me vullnet të mirë politik, të shtetit të së drejtës, Kushtetutës dhe zbatimit të ligjit, si kusht për progresin e vendit dhe integrimin e tij evropian. Ai siguroi se respektimi i këtyre parimeve do të karakterizojë qëndrimin edhe në të ardhmen të mazhorancës së drejtuar prej tij. Në takim u diskutua edhe mbi vazhdimin e reformave që vendi ndërmerr në fushën e ekonomisë, transparencës së qeverisjes, reformën në drejtësi. Sannino dhe Berisha ndanë të njëjtin mendim në lidhje me rëndësinë që ka paraqitja tek vendet anëtare të BE-së e Planit të Veprimit dhe prioriteteve të masave të tij, bashkarisht nga qeveria dhe Parlamenti, si një mesazh i një angazhimi të përbashkët të faktorëve të spektrit politik në funksion të integrimit, në mënyrë të veçantë në marrjen e vendimit mbi statusin e vendit kandidat.

Stefano Sannino takon dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto
Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian, Stefano Sannino deklaroi se Shqipëria është në rrugë të mbarë për integrimin, përsa i përket zhvillimeve pozitive të kohëve të fundit. Ai tha se Shqipëria duhet të vazhdojë në këtë rrugë dhe të ruajë ritmin e reform,ave të arritura, pasi ky vit është i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë, dhe për integrimin e saj në Bashkimin europian, i cili duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës.
Në fjalën e tij Sanino u shpreh se: “Herën e fundit që isha në Shqipëri u hodhën hapa pozitivë si finalizimi i marrëveshjes me partitë politike për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore, ndryshimi i rregullores së Parlamentit dhe rishikimi i ligjeve me shumicë të cilësuar. Emërimi i Avokatit të Popullit në frymë shumë transparente, ishte një tjetër hap pozitiv”- u shpreh drejtori i Zgjerimit në Komisionin Evropian. Deklarata e Sanninos u bë gjatë një prononcimi për shtyp me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto. Ky i fundit tha se integrimi është një proces që duhet të qëndrojë mbi çdo axhendë politike dhe partiake. “Integrimi është prioritet absolut i qeverisë shqiptare dhe ka nevojë për zbatimin e të gjithë rekomandimeve dhe detyrimeve të vendosura nga Komisioni Evropian,”- u shpreh Haxhinasto, ndërsa theksoi se ka zhvillime pozitive siç është ngritja e komisionit të reformës zgjedhore.
Nga ana e tij shefi i diplomacisë shqiptare u shpreh se ky proces duhet të vazhdojë dhe të japë produkte konkrete, ndërsa kërkohet angazhimi i plotë dhe i pakushtëzuar i të gjithë faktorëve politikë.
Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian Stefano Sannino ndodhet sot në Tiranë për të nxitur partitë politike për zbatimin e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian. Ai do të takohet me kryeministrin Berisha, presidentin Bamir Topi, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ministren e Integrimit, Majlinda Bregu.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›