E Shtunë, 31 Tetor 2026

Santorum fiton në Luisiana

Kandidati për të fituar emërimin e republikanëve për president, Rick Santorum, arriti të fitonte në votimet partiake në shtetin e Luizianës, tregojnë rezultatet paraprake të së dielës.

Me më shumë se gjysmën e votave të numëruara, ish-senatori i Pensilvanisë ka grumbulluar 49% të preferencave, duke kryesuar bindshëm përballë rivalit të tij kryesor, Mitt Romney, me 27%. Ish-kryetari i Kongresit Amerikan, Newt Gingrich, u rendit i treti, përpara teksanit Ron Paul, i cili nuk ka fituar ende asnjë shtet.

Megjithatë, ky i fundit vazhdon të kryesojë garën midis katër kandidatëve, mes të cilëve do të zgjidhet personi që do të rivalizojë presidentin Obama, në zgjedhjet e muajit nëntor.

Pas votimeve në 34 shtete, Romney ka fituar 21 prej tyre, ndërsa Santorum 11. Muaji prill pritet të jetë vendimtar, pasi do të votohet në total në tetë shtete, midis të cilëve edhe në Uashington e Nju Jork.

”Jemi ende në garë. Jemi ende duke luftuar dhe mbi të gjitha, besojmë ende se mund të fitojmë këtë garë”, deklaroi Santorum përballë një turme të entuziasmuar mbështetësish nga shteti i Uiskonsinit, ku priti rezultatet.

Sipas ekspertëve, ndonëse për momentin Romney ka një avantazh të qartë, Santorum mbetet ende në garë, sepse gëzon mbështetjen e fuqishme të konservatorëve dhe po përfiton mbështetës prej të tretit në garë, Gingrich.

Fitues i garës do të shpallet ai kandidat që do të grumbullojë një mbështetje të tillë në vota që do të përkthehet me 1 144 delegatë. Pas votimit në çdo shteti, votat e fituara ndahen në bazë të një përllogaritje komplekse matematikore në një numër të caktuar delegartësh.

Aktualisht, Romney llogarit 568 delegatë, ndjekur nga Santorum me 273, Gingrich me 135 dhe Ron Paul me 50.
Zgjedhjet ne SHBA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›