Santorum konfirmon mbështetjen për Romnin

Ish-garuesi republikan për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, Rik Santorum, ka konfirmuar mbështetjen e tij për rivalin e dikurshëm, Mit Romni.
“Ne të dy kemi rënë dakort se presidenti Obama duhet mposhtur”, ka thënë Santorum.
Ai ka lënë garën muajin e kaluar, pas fitoreve në disa shtete, por dështimeve për të arritur Romnin.
Në një e-mail dërguar mbështetësve të tij, Santorum ka thënë se “mposhtja e Obamës kërkon që të gjithë republikanët të mbështesin të emëruarin e partisë”.
“Guvernatori Romni do të jetë ai i emëruar dhe ai ka miratimin dhe mbështetjen time për t`i fituar këto zgjedhje të rëndësishme për jetën tonë”, ka thënë Santorum.
Gjatë fushatës, në një moment, Santorum e ka cilësuar Romnin si “republikanin më të keq në vend” për të sfiduar Obamën.