E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarajevë, nis sotsamiti i BE përBallkanin Perëndimor

SARAJEVE- Shefat e diplomacive të Ballkanit, si dhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian takohen sot në samitin e Sarajevës, nga i cili rajoni pret më shumë mbështetje nga Brukseli për perspektivën e tij europiane. Catherine Ashton, përfaqësuesja e lartë për çështjet e Jashtme dhe komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle marrin pjesë në këtë samit të rëndësishëm, ku pritet të konfirmohet angazhimi i Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta u nis dje drejt Sarajevës për të marrë pjesë në këtë takim të rëndësishëm. Kosova ka bërë të ditur se do të përfaqësohet si një shtet në këtë takim, edhe pse organizatorët, mes të cilëve presidenca spanjolle e BE-së, thanë se për këtë takim do të përdoret formula 'Gymnisch', që parashikon bisedime joformale. Para takimit të Sarajevës, shefja e diplomacisë e BE-së, Catherine Ashton tha se "integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen e kombeve evropiane mbetet një nga sfidat e fundit të ndërtimit të një Evrope demokratike dhe të bashkuar. "Në Sarajevë, Bashkimi Evropian do të riafirmojë përkatësinë e Ballkanit në Evropë dhe perspektivën e tij evropiane për rajonin", - shtoi ajo. Stefan Fyle, komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë Evropiane, deklaroi se konferenca u krijua për një konfirmim në kohën e duhur të perspektivës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vazhdimësinë e procesit të zgjerimit. Takimi i Sarajevës, i organizuar nga Presidenca Spanjolle me mbështetjen e Bashkimit Evropian, do të shënojë 10-vjetorin e Samitit të Zagrebit të 25 nëntorit 2000, ku u prezantua procesi i Stabilizim-Asociimit dhe perspektiva evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky proces u konfirmua në Samitin e Selanikut më 2003-in, ku u iniciuan gjithashtu edhe takime të nivelit të lartë.
Në Sarajevë, Bashkimi Evropian dhe vendet e rajonit, por edhe përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Turqia, OSBE, Këshilli i Evropës dhe NATO pritet të përshëndesin përparimin e dekadës së fundit që e solli Ballkanin e lodhur nga luftërat në rrugën e përparimit. Sfidat që mbeten për Ballkanin, janë vendosja e shtetit ligjor, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe liria e medias.

(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›