Sarandë- Privati zapton plazhet publike, bashkia si menaxhon dot
Sarandë- Edhe pse Bashkia e Sarandës deklaroi në nisje të sezonit turistik 2012 se plazhet publike do të dominojnë, aktualisht vetëm gjysma e hapësirës është publike dhe ajo sërish menaxhohet nga privati pasi bashkia se përballon dot sa i takon infrastrukturës.
Pas 12 vitesh rimarrje në zotërim të hapësirës publike Bashkia pranon se s’ka mundur dot ti pajisë këto plazhe me çadra dhe shellzonë për pushuesit. Duke pranuar se çmimet e aplikuara nga privati në plazhet publike janë abuzive për qytetarët.
Ne kemi kërkuar që të gjitha hapësirat e plazheve ti marrim dhe ti administrojmë vete por këtë vit koha për tu pajisur me elementet e nevojshme nuk na mjaftoi- tha Halimi, nga zyra e shërbimit në bashki.
Tashmë për dy shezllonë dhe një çadër qytetarët janë të detyruar të paguajnë 400 lekë edhe pse tabela në hyrje të këtyre zonave shkruan: ‘Plazh Publik’. Duke u barazuar kështu me çmimet e plazheve private. Sipas zyrës së shërbimeve në këtë bashki hapësirat private dhe ato publike të plazhit të Sarandës janë 50 me 50. Ndërkohë Bashkia Sarandë në plazhe publike ofron deri ne 500 shezlonge, të cilat do të jepen me çmimin 100 lekë të reja për secilin.
Në muajin Qershor Bashkia njoftoi se Plazhet e Sarandës do të jenë të gjitha publike gjatë këtij sezoni turistik. Ka qënë ky vendimi i bashkisë së qytetit bregdetar sipas së cilit 15 mijë metra katrorë plazh do të jenë shërbim publik për pushuesit. Burime nga Bashkia e Sarandës bënë me dije se janë afro 520 shezllonë që do të vendosen në 25000 metra plazh, teksa mbi 5 milionë lekë janë akorduar për mirëmbajtjen dhe pastrimin e tyre.
Bashkia e Sarandës ka njoftuar se privatet do të mund të shërbejnë vetëm në disa hapësira të vogla përpara hoteleve të tyre. Sipas bashkisë së këtij qyteti plazhet publike do të ulin kostot për pushuesit dhe do të rrisin të ardhurat e pushtetit vendor, çka do të mund të përkthehen në investime të mëtejshme.
/IDEA/