E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, debate të ashpra mes Kserës e Dules

SARANDE- Një ceremoni e zhvilluar në komunën Aliko të Sarandës për të përkujtuar 4 të rinj minoritarë të cilët u ekzekutuan nga regjimi i diktaturës në 12 dhjetor të vitit 1990 ka përfshirë në debate dy prej përfaqësuesve të lartë të minoritetit grek në Shqipëri, Ministrin e Punës Spiro Ksera dhe kreun e PBDNJ Vangjel Dule.
Katër të rinjtë, banorë të këtij fshati u ekzekutuan ndërsa tentonin të kalonin kufirin me Greqinë. Në ceremoninë e organizuar për të nderuar kujtimin e tyre merrnin pjesë krahas Kserës dhe Dules, përfaqësues të pushtetit vendor të Sarandës, Delvinës, përfaqësues të Konsullatës Greke, të Gjirkoastrës si dhe një deputet i Pasokut që kishte ardhur nga Greqia.

Duke folur në këtë ceremoni në gjuhën greke, ministri Ksera ka sulmuar kreun e PBDNJ Vangjel Dule duke i thënë se qëndron në krah të atyre që dhanë urdhër për pushkatimin e katër martirëve.
Por kreu i PBDNj i është kundërpërgjigjur duke i thënë Kserës se helenizmin duhet ta ketë në gjak dhe jo në buzë.
Nga ana tjetër ministri ka shigjetur dhe kreun e Omonias Vasil Bollano ndërsa është shprehur se mungesa e tij në këtë ceremoni është e pakuptimtë.

Ceremonia është mbajtur pothuajse e tëra në gjuhën greke, ndërsa në fund pjesëmarrësit kanë vendosur lule në monumentin kushtuar katër të rënëve. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›