Sarandë, fshati Shelegar vazhdon traditën e blegtorisë dhe bujqësisë
Quhet Shelegar ngaqë aty sipas banorëve, rritej më së miri delja dhe shelegu, zhvillohej blegtoria, dhe kështu dalëngadalë, fshati mori këtë emër. Shelegari është një fshat në bashkinë e Sarandës shumë afër qytetit. Fshat që në hyrje të tij, duket tepër i vogël por nëse ecën edhe më tej, shikon lagjet të cilat i ka të shpërndara me shtëpitë larg dhe afër njëra tjetrës, të ndërtuara prej banorëve në mënyrë të tillë që ti përshtaten territorit.
Nga veriu, fshati kufizohet me Bregasin, nga jugu me Metoqin, nga lindja me Vrionin dhe nga perëndimi me qytetin e Sarandës. Fshati sipas banorëve u krijua nga Çamët e dëbuar nga shteti grek dhe ata përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë me disa familje toske nga fshati Podgoran, Përmet e disa familje labe.
Të parat u vendosën në këtë fshat rreth 6 familje e në vitet më pas, arritën deri në 90 banorë. Kooperativa, bujqësia, blegtoria, ishin mënyra që banorët të fitonin të ardhura për familjet e tyre duke bërë që në atë kohë të kishte lulëzim ekonomik të fshatit.
“Fshati Shelegar është krijuar që në vitin 1918, kanë ardhur 6 familje këtu, pastaj nga djemtë e fshatit, duke bërë fëmij këta, u bë ky fshat më i madh. Atëhere qenë nja 90 frymë. Banorët atëherë jetonin me kooperativën. Më shumë, këtu, të parët mbanin dele. Blegtoria qe kryesorja sepse vendi është i tillë që të mundëson të mbash të imta. Këtu rritej delja, shelegu, nga ku ka marrë edhe emrin Shelegar. E krijuan këtë fshat, banorët e parë që erdhën nga Çamëria. Kohën e lulëzimit e kemi patur në kohën e kooperativës”, thotë një banor i fshatit.
“Banorët këtu mëparë punonin në punë shtetërore më pas mërguan burrat, më vonë u kthyen dhe merreshin dikush me bujqësi, dikush me një lopë e dikush me të mbjella. Atëherë me këto mbahej fshati, atëherë ka patur shum më pak banorë, tani më të shumtët janë të ardhur” shprehet një e moshuar.
Në fshat atëhere ve blegtorisë dhe bujqësisë, banorët i mbanin familjet edhe me mërgimin. Ndërkaq tani duket se ata i janë rikthyer fshatit duke punuar tokat dhe duke vazhduar traditën e blegtorisë, shumë pak janë larguar në mërgim dhe ata që janë larguar rikthehen thonë banorët.
Në një ditë të zakonshme pranvere, ata i gjen nëpër kopshtet e oborreve të tyre duke punuar e ndërsa i pyesim na tregojnë se banorët e Shelegarit, janë mikpritës, të dashur, bujarë por edhe shumë puntorë.
“Banorët janë të folur, mikpritës, gatime tradicionale kemi shumë, bëjmë musaka me lakra, brushtulet që s’i duan të rinjtë por ne plëqtë i përdorim, këto janë gatimet tradicionale. Që në mëngjes, do çohemi, do lajm, do shkojmë tek pulat, tek dhitë, në kopshte, të rinjtë ku gjejnë punë, jetesa këtu është e bukur se je në qetësi në ajër të pastër. Tani ka plot banorë, nja 300 frymë, u martuan djemtë, krijuan familje, tani merren me punë, tokat i kemi tonat. Me bujqësi, blegtori, tokat s’i lëmë bosh ne! I mbjellim me jonxhë me misër, me tërshërë, prodhimin e shesim ose e ruajmë për kafshët, këtu jemi si në fshat”, shprehen banorët.
Dikur fshat i vogël e tani me 300 banorë, fshati Shelegar në bashkinë e Sarandës, duket se është një ndër ata të paktët që nuk është braktisur nga banorët e tij, banorë të cilët duan fort punën dhe tokën e vendit të tyre.