Sarandë, tre vepra penale në 24 orë
Një person në kërkim, i akuzuar për "kalim të paligjshëm të kufirit", një tjetër i akuzuar për "Dëmtime të tjera me dashje" dhe një i tretë i akuzuar për veprën penale "Goditje për shkak të detyrës", janë informacionet që vijnë nga policia e Sarandës dhe ajo e Delvinës, për ngjarje të ndodhura në 24 orët e fundit.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim, Dashnor Agalliu, 38 vjeç, banor i fshatit Gjashtë të Sarandës. Ndalimi i këtij shtetasi është bërë pasi nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, ky shtetas është dënuar në mungesë dy muaj më parë me 2 vjet heqje lirie dhe 300 mijë lekë gjobë i akuzuar për veprën penale "Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit". Materialet proceduriale në ngarkim të këtij shtetasi, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë për veprime të mëtejshme.
Ndërkaq, ka nisur procedimi penal për t`u gjykuar në gjendje të lirë për shtetasin, Erlin Rumani, 27 vjeç, banor i qytetit të Sarandës. Procedimi penal ndaj këtij shtetasi ka nisur pasi në datën 5 maj të këtij viti, ka goditur me sende të forta duke i shkaktuar dëmtime të lehta, shtetasit Thoma Cari, 27 vjeç edhe ky banor i Sarandës. Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprën penale "Dëmtime të tjera me dashje".
Një tjetër procedim penal për t`u gjykuar në gjendje të lirë ka nisur për shtetasin Artur Shino, 43 vjeç banor i qytetit të Delvinës. Procedimi penal ndaj këtij shtetasi ka nisur pasi në qershor të këtij viti, në qytetin e Delvinës ky person ka goditur me grushte duke i shkaktuar dëmtime shtetasit Habib Musta, 49 vjeç edhe ky banor i qytetit të Delvinës.
Sipas burimeve policore të Delvinës, mësohet se shkaku ka qenë për mitove të dobëta. I akuzuari në momentin e ngjarjes në mesnatë, ishte duke u kthyer në banesën e vetë dhe ende nuk bëhet e ditur gjendja e tij, nëse ishte i dehur apo jo, dhe me pretendimin për pastrim jo të mirë, godet me grushta mbi punëtorin e pastrimit Habib Musta. Menjëherë është njoftuar policia ku është bërë edhe shoqërimi i tij për në mjediset e Komisariatit të Delvinës. Pas raportit mjekësor të marrë nga i dëmtuari, ka nisur procedimi penal në ngarkim të shtetasit Artur Shino.
Materialet proceduriale në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprën penale "Goditje për shkak të detyrës”.