Saraqinisht, fshati që kërkon të zhvillojë agroturizmin

Përshkon rreth 10 kilometra me makinë, nga qyteti i Gjirokastrës që të shkosh në fshatin Saraqinisht të njësisë administrative Antigone. Një fshat i vogël, që dikur numëronte rreth 200 banorë, të dashur, mikpritës dhe bujarë, një fshat që jetonte dhe jeton me emigrimin dhe migrimin, fshat me traditë blegtorinë dhe bujqësinë. Në këto ditë dimri, banorët merren me punët e stinës, kujdesen për tokat dhe oborret e banesave të tyre.
Prej klimës së favorshme, bukurisë natyrore dhe monumenteve historik, fshati Saraqinisht është kthyer tashmë në një prej destinacioneve të turistëve, që zgjedhin të vizitojnë rrethin e Gjirokastrës. Sipas banorëve, ata që shkelin këtu,kanë dëgjuar për bukuritë natyrore dhe traditat. Ndaj dhe ata kërkojnë që fshati të përfshihet më shumë në axhendat turistike, në mënyrë që turizmi të jetë një përspektivë e fshatit, që do “joshë” banorët, të rikthehen.
‘‘Fshati ynë, është qindra vjeçar, i thonë Saraqinisht, mbase ka patur saraje më përpara ,por dokumente të faktuar nuk kemi. Ka patur rreth 200 banorë para luftës, tani janë rreth 40 familje. Traditat e fshatit kanë qenë blegtoria dhe bujqësia.Familja jonë kishte blegtori të shumtë, kishte rreth 2.000 kokë dhën, më shumë se 300 dhi,50 mushka dhe pela pa lënë mënjanë arat që punonin.Tani dy familje janë që merren me blegtori, që kanë kope, të tjerët kanë nga nje lopë dhe disa dhi sa për nevojat e tyre. Përditshmëria e atyre që jetojnë këtu është e thjeshtë. Ngrihen në mëngjes, ca rregulojnë bagëtitë, ndërsa të tjerë merren me oborret e banesave.Banorët janë mikpritës të gjithë, janë shumë të dashur dhe bujarë.Turistët në fshatin tonë gjatë verës janë të shumtë. Vizitojnë Antigonenë, pastaj vizitojnë kishen e “Shën Kollit”, “Manastirin e Spiles”, etj. Turizmi tani po kthehet në perspektivë për fshatin tonë”, tregon një banor i fshatit
‘‘Fshati përveç blegtorisë dhe bujqësisë, jetonte dhe jeton edhe me emigrimin. Familja ime ka ardhur këtu që në 59′ , ndërsa banorët e tjerë ,janë kryesisht vendas. Shumica këtu janë pensionistë tani. Të rinjtë që janë larguar në mërgim, vijnë në fshat, investojnë për ndërtimin e banesave të tyre, në verë që mblidhen, gjëmon fshati nga zërat e tyre.Turistët vetëm këtë vit nuk kanë ardhur. Si fshat i vjetër që është, ata e pëlqejnë shumë. Ngelen të kënaqur edhe nga mikpritja që u bëjnë. Fshati ynë ka klimë shumë të mirë beharit dhe kjo i bën t’a pëlqejnë fshatin’’. thotë një i moshuar rreth 80 vjeç, që takojmë në qendër të fshatit.
Nga ana tjetër një nënë rreth 90 vjeçare shprehet :
‘”Më përpara kanë qenë shumë banorë në fshatin Saraqinisht, po tani kanë ikur në kurbet. Ato vite kishim kooperativën e punonim edhe atje. Unë në mëngjes ngrihem dhe merrem me punët e shtëpisë, jam shumë e moshuar tani dhe nuk merrem me gjë tjetër. N’a mungojnë fëmijët po këtë vit, n’a mungojnë edhe vizitorët që ishin shumë të paktë”.
Fshati Saraqinisht sot numëron gati 40 familje. Banorët mendojnë, se me zhvillimin e agroturizmit, do kenë më shumë mundësi për tu punësuar.