E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarcozy Berishës: Shqipëria do jetë anëtare e BE, është ndarë me reforma nga komunizmi

Presidenti francez Nicolas Sarkozy i ka dhënë dje kryeministrit Sali Berisha, gjatë vizitës së tij historike në pallatin “Elysée” mbështetje të plotë për paraqitjen e kërkesës për anëtarësim në BE dhe për heqjen e shpejtë të regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë.

TIRANE - Në kuadër të vizitës zyrtare të zhvilluar në Francë, me ftesë të Presidentit Nikola Sarkozy, Kryeministri shqiptar Sali Berisha, ka marrë garancinë e plotë, për mbështetjen e fuqishme të qeverisë franceze në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë një takimin kokë më kokë, që Kryeministri Berisha zhvilloi në Pallatin Elisee, me Presidentin Sarkozy, ky i fundit deklaroi me vendosmëri se Shqipëria do të jetë anëtare e Unionit Evropian dhe nuk ka kthim prapa në procesin e integrimit të plotë.
“Shqipëria, në mënyrë të qartë, do të jetë anëtare e BE-së dhe nuk ka kthim mbrapa në procesin e integrimit të saj në BE. Franca e mbështet kandidaturën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE”, u shpreh Sarkozy.
Presidenti francez, pasi i uroi mirëseardhjen kryeministrit Berisha, e falënderoi që iu përgjigj ftesës së tij për të vizituar Elisee-në dhe i uroi mirëseardhjen në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke i shprehur edhe mirënjohjen dhe falënderimin për pjesëmarrjen e Shqipërisë me forcat e saj përkrah NATO-s në operacionet e saj, si dhe përkrah forcave të Kombeve të Bashkuara në Çad.
Nga ana e tij, kreu i qeverisë Berisha, pasi e falënderoi Presidentin Sarkozy për pritjen dhe takimin e ngrohtë e miqësor, u shpreh se takimi mes tyre është një hap i rëndësishëm historik në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kryeministri Berisha falënderoi Presidentin francez për mbështetjen e qartë që i jep integrimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar faktin se 96 për qind e shqiptarëve e mbështet integrimin në BE dhe kjo bën që ky proces të jetë i vazhdueshëm dhe i pakthyeshëm.
Presidenti Sarkozy u shpreh se të gjitha arritjet e Shqipërisë janë plotësisht të merituara, pasi asnjë vend tjetër sa Shqipëria, nuk ka vuajtur nga një diktaturë aq mizore. “Franca mbështet të gjithë proceset e zhvillimit dhe modernizimit të Shqipërisë”, tha Sarkozi.
Presidenti Sarkozy shprehu falënderimet gjithashtu, për mbështetjen që qeveria shqiptare i jep biznesit francez. Ai u shpreh se qeveria franceze do të punojë dorëpërdore me qeverinë shqiptare dhe ju do të keni gjithmonë ndihmën dhe mbështetjen tonë.
Kryeministri Berisha e falënderoi gjithashtu, Presidentin Sarkozy për mbështetjen që ai personalisht, qeveria dhe populli francez i kanë dhënë Shqipërisë për realizimin e ëndrrës për të qenë anëtar i NATO-s, një ëndërr që u bë realitet. Shqipëria, tha Kryeministri, është një vend që ka vuajtur shumë nga mungesa e sigurisë ndër vite. Duke dalë nga një diktaturë e egër, është një nga vendet që e ka vuajtur më shumë mungesën e sigurisë, ndaj anëtarësimi në NATO bën që Shqipëria të ndërtojë lirinë dhe demokracinë e saj, duke u ndjerë edhe më e sigurt. Ky është një inkurajim i ri për të vazhduar thellimin e reformave dhe ju siguroj, vijoi kryeministri, për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar në këtë rrugë.
Për realizimin e këtyre dy projekte të mëdha dhe për t’i ndryshuar faqen Shqipërisë, tha Kryeministri, ne kemi ndërmarrë reforma të thella, shpesh herë të vështira, por kjo ishte rruga e vetme që shqiptarët të shohin të realizuar ëndrrën e tyre për integrimin në NATO dhe atë në BE. Në kuadër të thellimit të reformave, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të vazhdojë të luftojë me vendosmëri kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Sarkozy edhe me reformat e ndërmarra në fushën ekonomike, si dhe u shpreh se do t’i ishte shumë mirënjohës Presidentit Sarkozy të nxiste afrimin dhe ardhjen në Shqipëri të investitorëve francezë. Kryeministri shprehu kënaqësinë që disa kompani franceze po operojnë me sukses në Shqipëri. Një faktor i rëndësishëm, shtoi kryeministri, është edhe fakti se në Shqipëri do të gjeni një vend frankofon, i cili e preferon gjuhën franceze.
Investimet e kompanive franceze, me mbështetjen edhe të qeverisë shqiptare, siguroi Kryeministri, do të jenë një histori suksesi në Shqipëri. “Ne jemi një vend i vogël, por me potenciale shumë të mëdha në energjetikë, në minerale, turizëm, kemi një krah pune ndër më të favorshmit në Evropë. Ne kemi ndërmarrë reforma të mëdha ekonomike, bëmë ligjin për partneritetin publik privat, në 3-4 vite, ne do të kemi një rrjet të ri infrastrukturor, duke qenë se kemi trashëguar një rrjet të prapambetur, por, mbi të gjitha, për qeverinë time është dhe do të mbetet prioritet arsimimi i fëmijëve dhe të rinjve tanë”, tha kryeministri.
Për sa u takon zgjedhjeve parlamentare të qershorit, shefi i ekzekutivit Berisha tha se qeveria që ai kryeson do të bëjë të gjithë hapat e nevojshëm që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme.
“Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, është edhe pajisja e shtetasve shqiptarë me letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike”, tha Berisha.
Ndërkaq, në vijim, presidenti Sarkozy u shpreh se së shpejti do të vizitojë Shqipërinë, vendin e mrekullueshëm, siç e quajti ai.
“Shumë shpejt do të vizitoj vendin tuaj të mrekullueshëm dhe do të shoh nga afër ndryshimet e mëdha të Shqipërisë”, tha Sarkozy.
Kryeministri Berisha u shpreh se e gëzonte së tepërmi ky lajm dhe Presidenti Sarkozy do të jetë Presidenti i parë francez që viziton Shqipërinë dhe se do të pritet nga një popull që e do dhe e vlerëson, veçanërisht një popull mirënjohës ndaj mbështetjes që Presidenti Sarkozy dhe qeveria franceze i kanë dhënë proceseve integruese të Shqipërisë.

Deklaroi Kryeministri Sali Berisha pas takimit për kreun e Pallatin Elyzee

“Sarkozy priti me kënaqësi ftesën për të qenë Presidenti i parë francez që viziton Shqipërinë”

TIRANE - Pas takimit të zhvilluar në Pallatin Elyzee, në Paris, me Presidentin e Francës Nikola Sarkozy, Kryeministri Sali Berisha informoi në detaje, lidhur me temën e diskutimeve dhe pozicionin e Francës ndaj integrimit të Shqipërisë në BE.
Kryeministri tha se mora mbështetjen personale të presidentit Sarkozi, për Shqipërinë, si në rrugën e integrimit evropian ashtu edhe në përpjekje për zhvillimin e mëtejshëm të vendit.
“Diskutuam gjerësisht mbi projektin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, aplikimin për statusin e kandidatit. Diskutuam për vizitën e ardhshme të Presidentit Sarkozi, i cili në mënyrë të përsëritur më siguroi se me kënaqësi do të vijë të vizitojë Shqipërinë dhe unë i thash se vizita juaj do të jetë një ngritje e madhe për frankofoninë, por natyrisht edhe çiftit presidencial, akoma më shumë. Presidenti do të vijë të vizitojë Shqipërinë me shumë kënaqësi”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, ishin një tjetër temë e diskutimeve.
“Diskutuam edhe për marrëdhëniet e ekonomike, dhe për marrëdhëniet vija të gjithanshme. Presidenti shprehu një vlerësim të madh që ka bërë Shqipëria. Tregoi një interes të jashtëzakonshëm për situatën në të cilën ka kaluar Shqipëria ka filluar, rrugën e demokracisë dhe të tregut. Ky ishte një takim i shkëlqyer. Unë kam qenë edhe herë të tjera në këto zyra, por ky është takimi më i përzemërt më miqësor dhe unë dua ta falënderoj edhe njëherë për takimin miqësor që më rezervoi, për fjalët e mira që tha për Shqipërinë, për mbështetjen e madhe që i dha vendit tonë”, deklaroi kryeministri Sali Berisha, menjëherë pas përfundimit të takimit, në Pallatin Elyzee, me presidentin francez, Nikola Sarkozy.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›