FSHF-ja “Kurrë një serb në bankinën kuqezi”
Pas publikimit në mediat shqiptare të emrit të serbit Ljupko Petroviç, si një pretendent i dorës së parë për t’u ulur në bankinën e Kombëtares shqiptare, çka provokoi një reagim të fuqishëm në ambientet futbollistike e sidomos në radhët e tifozëve, Federata Shqiptare e Futbollit, përmes një komunikate për shtyp hodhi poshtë zyrtarisht spekulimet mediatike në lidhje me 62-vjeçarin. “Federata Shqiptare e Futbollit, kërkon të sqarojë opinionin publik brenda dhe jashtë Shqipërisë, në lidhje me spekulimet e deritanishme mediatike, për emërimin e trajnerit të ri të kombëtares së futbollit. Të gjitha kandidaturat e përmendura deri më tani, kanë qenë thjesht hamendësim gazetaresk, i cili në asnjë rast, nuk është konfirmuar zyrtarisht nga institucioni i futbollit. Ditët e fundit në faqet e gazetave, janë deklaruar shumë emra teknikësh, si kandidatura për bankinën e skuadrës kombëtare, të cilët nuk janë dhënë nga FSHF-ja. Madje në shumë raste, kanë qenë dëshira apo hamendësime gazetareske, të cilat s’kanë pasur, asnjë bazë reale. Ne falënderojmë të gjithë ata trajnerë që kanë shprehur mediatikisht, dëshirën për të drejtuar përfaqësuesen e Shqipërisë, pavarësisht se kanë qenë apo jo në planet tona. FSHF konfirmon zyrtarisht, se nuk ka menduar asnjëherë për të vendosur në krye të bankinës së saj, teknikun Ljupko Petroviç. Kjo kandidaturë, si edhe shumë të tjera, kanë qenë thjesht një hamendje e medias, e cila i është servirur opinionit publik. FSHF nuk e ka pasur këtë teknik, në planet e saj. Federata Shqiptare e Futbollit i siguron të gjithë tifozët shqiptarë, opinionin publik, brenda dhe jashtë Shqipërisë, se të gjitha strukturat e saj drejtuese dhe teknike po punojnë intensivisht dhe me seriozitetin më të madh për t’i dhënë ekipit përfaqësues, një trajner të aftë dhe profesionist. Sa më shpejt të jetë e mundur, kandidatura që do të përzgjidhet, do të bëhet publike zyrtarisht dhe si gjithmonë me transparencë të plotë”, - përfundon komunikata e FSHF-së.
25 Prill 2009