E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi për Edvinin do zbulojë kupolën e shpenzimeve private në bashkinë e Tiranës

PD-ja denoncon abuzimet në rritje të bashkisë së Tiranës, nëpërmjet shpenzimeve administrative, të cilat janë dyfish më të larta se bashkitë e tjera në mbarë vendin. Brenda tre javësh, pritet edhe zbardhja e listës së atyre që kanë përfituar nga lejet klienteliste të ndërtimit

TIRANE - Partia Demokratike reagoi dje bëri përgjegjës kreun e bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për shpenzime të pakufishme në bashkinë e kryeqytetit. Zëdhënësi i grupit kuvendore në Partinë Demokratike, Aldo Bumçi deklaroi se shpenzimet administrative të bashkisë së kryeqytetit janë stratosferike, krahasuar me bashkitë e tjera, ndonëse në këtë kontekst duhet të ndodhte e kundërta.
Deputeti demokrat theksoi se shpenzimet, për 1 mijë banorë të Bashkisë Tiranë janë 35 për qind më të lartë se sa bashkia Shkodër, 33 për qind më të larta se sa bashkia Vlorë, 23 për qind më të larta se sa bashkia Korçë, 40 për qind më të lartë se sa bashkia Pogradec. “Kjo është e ashtuquajtura qeverisje moderne e Ramës, çfarë në fakt është vetëm një qeverisje mediokër. Shpenzimet administrative të Bashkisë së Tiranës jo vetëm nuk duhet të ishte më të larta se qytetet e tjera por duhet të ishin më të ulëta sepse sipas ligjit të ‘ekonomisë së shkallës’ sa më e madhe një njësi/ndërmarrje aq më shumë ulen shpenzimet. Këto fonde janë taksat e qytetareve të Tiranës të cilat kryetari i bashkisë duhet t’ia kthente qytetit me investime dhe jo t’i shpërdoronte për shpenzime administrative”, tha Bumçi.
Sipas tij, nga viti 2002 deri në vitin 2008 bashkia e Tiranës i ka rritur 4 here shpenzimet operative ne zërin “Administrim i përgjithshëm”.
“Kryetari i bashkisë Edi Rama është përgjegjësi i drejtpërdrejtë për këtë situatë. Bashkia Tiranë është e organizuar në 11 njësi bashkiake. Këto 11 njësi kanë gjithsej të punësuar mbi 400 punonjës dhe rreth 300 këshilltar. Çdo vit për pagat dhe sigurimet shoqërore të aparatit të këtyre njësive shpenzohen 134 milion lekë, ndërsa për shpenzimet operative të kësaj administrate 65 milionë lekë ose gjithsej 199 milion lekë. Për shpërblimin e anëtareve të këshillave të këtyre njësive shpenzohen mesatarisht çdo vit 30 milionë lekë. Shpenzime administrative gjithsej për këto njësi për një vit buxhetor bëhen 230 milion lekë, shifër e barabartë me grandin që përfitojnë nga buxheti i shtetit një bashki e madhe si Shkodra, Elbasani dhe Durrësi. Këto njësi bashkiake me një administratë prej qindra punonjësish që kushton 230 milion lekë janë marrë deri dje vetëm me shpërndarjen e 150 milion lekë të ndihmës ekonomike dhe të paaftësisë në një vit fiskal. Ndërsa vazhdojnë të kenë kompetenca tmerrësisht të kufizuara edhe pse administrojnë njësi ku numri i popullsisë është i barabartë me qytete si Korça, Lushnja, dhe Lezha. Kjo për faktin e vetëm se Edi Rama refuzon t’iu delegojë kompetenca. A është ky një administrim modern dhe efiçent i qytetit, ku struktura të tëra më qindra njerëz mbahen të papunë? Ky është modeli Rama i qeverisjes”, u shpreh Bumçi.
Leonard Quku

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›