Sarkozi dhe Obama nuk e pëlqejnë Netanjahun - por a mund ta ndryshojë diplomacinë ky fakt?
Në një bisedë private në konferencën e G-20 në Kanë javën e kaluar, Presidenti francez Nikolas Sarkozi i tha Presidentit amerikan Barak Obama, “Nuk mund ta duroj dot Netanjahu-n, ai është një gënjeshtar”. Ndërsa Obama iu përgjigj për kryeministrin izraelit, “Ju, ju ka sosur durimi me të, ndërkohë që mua më duhet të merrem vesh me të edhe më shpesh se ju”. Të dy udhëheqësit ishin duke vënë mikrofonat, të cilët pa dashje i kishin lënë të hapur. Edhe pse një grup gazetarësh dëgjuan këtë bisedë në kufjet e tyre, ata bënë një marrëveshje fjale për ta trajtuar këtë bisedë si një bisedë private dhe për të mos e publikuar, deri sa një faqe ueb franceze theu marrëveshjen dhe e bëri të ditur bisedën mbrëmjen e kaluar, bisedë e cila u konfirmua tashmë edhe nga Reuters.
Incidenti vuri në siklet të tre liderët, por a do të ketë ndonjë ndikim ky incident? Nuk është ndonjë e papritur që Obama dhe Sarkozy nuk kanë ndonjë “dashuri të madhe” për Netanjahun, i cili ka kritikuar publikisht liderët perëndimorë për rolet e tyre në procesin e paqes mes Izraelit dhe Palestinës. Nuk është gjithashtu ndonjë habi, që ata përpiqen të mos i bëjnë publike mendimet e tyre personale: Me këtë që ndodhi, Obama duhet të shqetësohet për zgjedhësit e tij në Florida, të cilët mendojnë se Shtetet e Bashkuara duhet të përqendrohen më pak në nxitjen e Izraelit drejt një zgjidhjeje paqësore dhe më shumë në "mbështetjen" e Izraelit, çfarëdo Netanjahu mund të vendosë.
Udhëheqësit perëndimorë e kanë të qartë se paqja nuk do të vendoset edhe nëse udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë do të takohen së bashku në tryezën e bisedimeve, diçka që bëhet akoma më e vështirë, në një situatë ku marrëdhëniet e tyre me Netanjahun po përkeqësohen akoma më shumë. Por, ndërkohë që nënteksti i këtij skandali mund të duket alarmant – pyetja që shtrohet është, a mund të ndodhë që Obama dhe Netanjahu t’i çojnë vendet e tyre aq larg njëra tjetrës sa aleanca e tyre historike të marrë fund, duke e zhvendosur rrjedhën e historisë në Lindjen e Mesme? –Megjithatë, incidente të tilla diplomatike, si ky që ndodhi, zor se do të çojnë në transformime dramatike të politikës së jashtme të këtyre dy vendeve.
Marrëdhëniet diplomatike mes liderëve izraelitë dhe amerikanë po përkeqësohen në mënyrë të shpejtë. Disa muaj pasi Netanjahu mbajti një fjalim në Kongresin Amerikan duke qortuar Obamën - udhëheqësin e vendit që mbështet më shumë Izraelin - Sekretari për Mbrojtjen, i sapo dalë në pension, i Obamës e quajti udhëheqjen izraelite si aleate jo të besueshme. Netanjahu duket se po përpiqet të nxisë sistemin politik amerikan të punojë në favor të politikave e tij për të vonuar bisedimet e paqes dhe për një gjetur një zgjidhje tjetër; ndërsa Obama duket se po përpiqet të nxisë sistemin politik të Izraelit për të punuar në favor të politikave të tij, pra, të paqes mes Izraelit dhe Palestinës. Çdo lider është një gur shahu në lojën e tjetrit, kështu që nuk është çudi nëse të dy këta liderë të jenë të pakënaqur me njëri-tjetrin.
Diplomacia nuk ka të bëjë me ndërtimin e marrëdhënieve pozitive ndër-personale mes përfaqësuesve respektivë, edhe pse ky shpesh është një mjet i diplomatit apo i shtetarit. Diplomacia ka të bëjë me arritjen e qëllimeve dhe interesave të shtetit tënd duke biseduar me njerëzit. Në qoftë se Obama dhe Netanjahu perceptojnë se interesat e kombeve të tyre bien në konflikt, marrëdhëniet e tyre diplomatike do të jenë sigurisht konfliktuale. Edhe pse Obama dhe presidenti kinez Hu Jintao duket se kanë një marrëdhënie më të mirë se sa Obama me Netanjahun, kjo nuk është ndonjë reflektim i “dashuri së madhe” të Obamës me kapitalizmin shtetëror kinez apo ndonjë armiqësi ndaj sionizmit.
Në fund të fundit, interesat afat-gjatë të SHBA-ve dhe Izraelit (dhe votuesve të tyre) shkojnë në një linjë. Një marrëdhënie e keqe mes dy liderëve apo disa gafa me zarar nuk mund të ndryshojnë dot shkaqet demografike dhe politike të aleancës SHBA-Izrael. Udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike, si Obama dhe Netanjahu janë në shërbim të kombit, në të cilin janë zgjedhur të shërbejnë. Administrata e Xhorxh W. Bush kishte një marrëdhënie tejet të keqe me presidentin francez Zhak Shirak, për shembull. Ata diktuan Kongresin Amerikan për të kaluar disa ligje anti-franceze vërtet absurde. Megjithatë, aleanca mes këtyre dy vendeve perëndimore demokratike, të pasura, liberale, nuk ka qenë asnjëherë vërtetë në rrezik.
Kjo nuk do të thotë se SHBA dhe Izraeli nuk mund të ndjekin dy rrugë të ndryshme, siç shqetësohen edhe disa analistë (në këtë proces disa republikanë duket se janë të etur për të akuzuar Obamën për përshpejtimin e situatës). Të dy shtetet po perceptojnë gjithmonë e më shumë se kanë divergjenca gjithmonë e më të mëdha në lidhje me interesat e tyre në Lindjen e Mesme dhe në lidhje me mënyrën se si po përpiqen t’i realizojnë këto interesa. Përllogaritja që çon SHBA–të të mbështesin Izraelin dhe që çon Izraelin të mbështetet tek SHBA-të mund të ndryshojë. Por, nëse kjo ndodh, ky ndryshim do të ndodhë sigurisht vetëm për shkak të ndryshimit të interesave kombëtare të SHBA-ve dhe Izraelit dhe jo për shkak të ndjenjave personale dhe shpërfilljeve verbale të përfaqësuesve të zgjedhur të këtyre vendeve.