Jetësim të projekteve “Korridori 8” dhe linja hekurudhore - qytetarët e dy vendeve do udhëtojnë vetëm me letërnjoftime
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me Kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje në mesditë, një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski, i cili u pasua më pas nga një takim, ku të pranishëm ishin dhe dy delegacionet, shqiptar dhe ai maqedonas. Gjatë takimit mes tyre, të dy personalitetet pohuan marrëdhëniet shumë të mira politike që ekzistojnë mes dy vendeve dhe shprehën vullnetin e përbashkët të qeverive përkatëse, për zgjerimin dhe konsolidimin e tyre të mëtejshëm, në të gjitha fushat, në dobi të të mirës së të dy vendeve e popujve. Në takim u theksua rëndësia e realizimit me sukses të projekteve të rëndësishme infrastrukturore, si ato rrugore dhe hekurudhore, të cilat do të bëjnë të mundur lidhjen më të ngushtë mes dy vendeve, në shumë plane, si atë të transportit, shkëmbimeve tregtare, turizmit, etj. Në këtë kuadër u theksua nevoja për krijimin e lehtësirave doganore dhe heqjes se barrierave burokratike për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, duke vendosur regjimin doganor që aplikohet nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. Nga ana e tij, kryeministri maqedonas Nikola Gruevski, duke e vlerësuar këtë takim shumë të rëndësishëm në kuadrin e bashkëpunimit dhe forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, u shpreh se të dy vendet kanë si përparësi madhore integrimin. Në këtë kontekst, kryeministri maqedonas Gruevski vlerësoi mbështetjen që qeveria shqiptare i jep Maqedonisë në procesin e integrimit të saj në NATO, duke shprehur dëshirën që Shqipëria të realizojë me sukses projektin e integrimit të plotë të vendit në BE. Duke folur për zhvillimet në rajon, bashkëbiseduesit vlerësuan se integrimi i Ballkanit Perëndimor është në dobi të popujve dhe i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon. Pas takimit, të dy kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën kryeministri Berisha vlerësoi se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi me Maqedoninë mike janë shumë të rëndësishme dhe ne i kushtojmë një vëmendje të veçantë. Sipas kryeministrit, “përpjekjet tona të përbashkëta kanë krijuar një realitet të ri në këto marrëdhënie, një realitet që mundëson intensifikim të shpejtë të tyre. Kryeministri Berisha u ndal kryesisht në projektet infrastrukturore dhe theksoi këtu bashkëpunimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë jetësimin e projekteve si “Korridori 8”, rrugën e Arbërit dhe linjën hekurudhore mes dy vendeve. Dy kryeministrat u zotuan për lobimin e përbashkët në Bruksel për këto dhe të tjera projekte që nxisin zhvillimin ekonomik dhe afrojnë tregjet. “Të dy vendet po investojnë në lidhje të reja dhe fuqizimin e lidhjeve ekzistuese infrastrukturore. Në një hark kohor dyvjeçar, distanca midis Shkupit dhe Tiranës do të shkurtohet në njërin aks, atë Shkup – Dibër – Tiranë, me 103 kilometra, në aksin tjetër Shkup – Strugë – Tiranë së paku me një orë. Një lidhje e tretë ndërkombëtare po ndodh. Ne po ndërtojmë dhe Kryeministri vizitoi dy-tre javë më parë komunën e Trebishtit, një aks kombëtar që do të shndërrohet në aks ndërkombëtar, pasi jemi vetëm 7 kilometra nga kufiri me Maqedoninë. Qeveria shqiptare është e vendosur të ndërtojë e rindërtojë çdo rrugë që lidh banorët e të dy vendeve tona, t’jua lehtësojmë sa më shumë jetën atyre, të lehtësojmë sa më shumë shkëmbimet”, tha Berisha. Ai theksoi se Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi, duhet të shqyrtojnë modalitetet e Bashkimit Evropian, për sa i takon regjimit doganor mes vendeve të rajonit. Një tjetër pikë e rëndësishme gjatë diskutimeve mes Berishës dhe Gruevskit, ishte dhe udhëtimi i qytetarëve në të dy vendet me dokumente identiteti. “Së shpejti do të fillojë kalimi i kufirit vetëm me letërnjoftim”, tha Berisha. Gjithashtu, kryeministri Berisha tha se vendet tona kanë një të ardhme dhe kjo e ardhme është integrimi i plotë në Bashkimin Europian dhe në NATO. Sipas kryeministrit, Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha dhe e ka procesin e integrimit në Bashkimin Europian si proces themelor. Nga Shkupi, kryeministri Berisha komentoi edhe situatën rajonale, ku në mënyrë kategorike refuzoi zërat për ndarje të Kosovës. Sipas Berishës, ideja për ndarjen e Kosovës, është nxjerrë nga arkizat e Millosheviçit. “Këto propozime e sugjerime janë që të gjitha të nxjerra apo nxirren nga arkiva e Sllobodan Millosheviçit. Duhet t’ju kujtoj këtu se në fillim të viteve ’90, mesazherë nga më të ndryshmit qarkullonin me harta në xhep për ndarje të Kosovës dhe jo vetëm të Kosovës. Por të gjitha ato u provuan si absurditete. Respektimi i kufijve aktualë të Kosovës është interesi jetik më i mirë, absolutisht, i të gjitha vendeve të këtij rajoni, që nuk duan të përdorin gjyzlykët e kasapit të Ballkanit për rajonin e të ardhmen e tij. Tre komuna homogjene serbe pothuajse pa asnjë shqiptar janë në veri të Kosovës dhe duan që të tregojnë se nuk mund të jetojnë dot me shqiptarët, ndërkohë që shumica e serbëve jetojnë ndër Ibër dhe janë në paqe e harmoni me shqiptarët. Është një embrion i ëndrrës që i krijoi Ballkanit të gjithë ato drama e tragjedi në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit që shkoi. Asgjë tjetër”, u shpreh Berisha. Sali
Berisha – Menduh Thaçi “PDSH, kontribut thelbësor në zhvillimet në Maqedoni”
Në vijim të vizitës një ditore në Maqedoni, kryeministri Berisha takoi kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare atje, Menduh Thaçi. Pas takimit, në një prononcim për median, Kryeministri Berisha dhe zoti Thaçi u shprehën në lidhje me bisedimet mes tyre. Kreu i qeverisë shqiptare tha se, “me kryetarin e Partisë Demokratike, Menduh Thaçi, patëm një diskutim shumë të përzemërt e vëllazëror mbi bashkëpunimin e gjithanshëm midis dy vendeve, popujve e dy shoqërive të vendeve tona. Unë pata rastin t’i shpreh vlerësimin tim më të madh zoti Thaçi dhe partisë që ai drejton, për kontributin e tyre thelbësor në rrjedhën dhe zhvillimet në republikën e Maqedonisë. Kam vlerësuar shumë marrëveshjen e firmosur para zgjedhjeve, si një dëshmi e një maturiteti të thellë demokratik, qëndrimin konstruktiv të zotit Thaçi e të partisë që ai udhëheq në mbështetje të të gjitha proceseve integruese, avokatinë që kjo parti, si parti opozitare, u bën në Parlamentin e Maqedonisë dhe më gjerë në institucione të tjera lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë”, u shpreh kryeministri Berisha. Ai informoi se në takimin me Thaçin, u diskutua për bashkëpunimin e gjithanshëm midis dy vendeve, të cilin sipas kryeministrit Berisha, Menduh Thaçi dhe partia e tij e mbështesin fuqishëm.
Sali Berisha – Ali Ahmeti “BDI, përfaqësuesja kryesore e shqiptarëve në Maqedoni”
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha është shprehur i kënaqur me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Pas një takimi me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti ai tha se, pas luftës së vitit 2001 të drejtat e shqiptarëve janë përmirësuar dukshëm në Maqedoni. “Bashkimi Demokratik për Integrim është përfaqësuesja kryesore e shqiptarëve në Maqedoni dhe që pas luftës së drejtë të vitit 2001, të drejtat e shqiptarëve janë përmirësuar dukshëm. Është shënuar progres thelbësor në rritjen e peshës politike të shqiptarëve në jetën politike në Maqedoni”, deklaroi Berisha. Berisha përshëndeti mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 5 qershorit dhe dialogun brenda partive politike shqiptare. Dy liderët shqiptar përshëndetën arritjen e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Maqedonisë për lëvizje të lirë të qytetarëve me letër njoftim në të dy anët e kufirit dhe u angazhuan për liberalizim maksimal të kufijve, përfshirë edhe lehtësimin e kontrolleve kufitare në vetëm një pikë të vetme kufitare. Ahmeti dhe Berisha ranë dakord rreth formimit të një këshilli koordinues për shënimin e vitit të shqiptarëve, 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë si festë e të gjithë shqiptarëve. Gjithashtu në takim bashkëbiseduesit gjithashtu u angazhuan që bashkërisht të bëjnë përpjekje për jetësimin e “Korridorit 8” dhe Rrugës së Arbërit bashkë me lidhjen hekurudhore midis dy vendeve.
...