E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutimi politik i një akti jopolitik

 

Nuk ka randësi sesi quhet dhe prej çfarë partie politike vjen Presidenti i Republikës, vetë detyra e tij imponon respekt institucional dhe garantohet në mënyrë të veçantë prej ligjit edhe tue e vu atë në nji pozicion të veçantë kundrejt vetë ligjeve. Tek ne Presidenti asht njikohsisht edhe Kryetar Shteti dhe ajo çka asht ma e randësishme nuk ka nevojë të justifikohet para partive politike për veprimet e veta institucionale. Në fakt ai që përfaqson totalitetin, pra “unitetin e popullit”, nuk mund të justifikohet përpara atyne që përfaqsojnë vetëm nji pjesë të caktueme të tij, qoftë kjo edhe shumica.

Mungesa e autoritetit moral ka ba që sidomos në fundin e viteve ’90 partitë politike të lëkundeshin në mënyrë të ndieshme. Spesori moral i shumë figurave partiake ka qenë mjaft i diskutueshëm dhe kjo gja ka ba që shpeshherë shtypi shqiptar dhe ai i huej, trupi diplomatik i akredituem në vendin tonë, vëzhguesit e paanshëm si edhe figura eminente me autoritet moral të fshikullojnë politikën shqiptare.

E vetmja figurë që ka mbetë jashtë këtyne kritikave të motivueme ka qenë Presidenti i Republikës Shqiptare. Në fund të fundit kritikat ndaj klasës politike janë të përligjuna dhe tregojnë relativizmin e saj të natyrshëm, i cili pasqyrohet në ndërrimin e herë pas hershëm të pushtetit ekzekutiv.

Nuk ndodh e njejta gja me institutin e Presidencës, mbasi figura e Presidentit të Republikës ka si karakter të vetin kryesor qenjën mbi pjesët tjera (super partes) si edhe mbarë-përfaqsimin e popullit.

Neni 92 i Kushtetutës i njeh Presidentit të Republikës disa kompetenca, të cilat në të vërtetë janë shumë të kufizueme dhe e ngushtojnë skajshmënisht veprimin e tij. Kjo gja mvaret prej faktit që Kushtetuta e Republikës Shqiptare, e “konfeksionueme” substancialisht prej specialistash italianë që i përkasin nji tradite kufizuese të prerogative presidenciale, ngushton në maksimum veprimin presidencial. Besojmë se në këtë gja kanë ndikue edhe rrethanat historike të kohës kur asht paraqitë për aprovim Kushtetuta. Asokohe eksperienca e diskutueshme që i kishte parapri debatit kushtetues ndikoi shumë në mënjanimin e figurës së Kryetarit të Shtetit.

Në kushtet e sotme Presidenti ka kryesisht dy role: rolin e nderit dhe atë të garantit. Ai i pari kryhet nepërmjet gradave dhe titujve, i dyti nëpërmjet emnimeve dhe propozimeve për emnime në poste me randësi të veçantë institucionale.

Por mekanizmi i kontrollit nëpërmjet votës aprovuese parlamentare mund të çojë edhe drejt konfliktesh institucionale që legjislatori ka parashikue se mund të zgjidhen, zakonisht nepërmjet votës së re-iterueme, nëpërmjet kushtesh të veçanta apo me anë akordesh dhe konsultimesh të matejshme.

Para pak ditësh pamë sesi parlamenti shqiptar kreu “ekzekutimin politik” - siç u shpreh vetë Presidenti - të nji akti jopolitik, shtojmë ne.

Forcimit të institucioneve shqiptare nuk i nevojitet sot nji luftë partizane por nji dialog ndër-institucional, tue respektue figurën dhe rolin e Kryetarit të Shtetit, i cili nuk asht antar i asnji partie dhe tash së fundi po tregon nji autonomi të admirueshme në marrjen e vendimeve të veta.

Së pari votimi në Parlament duhet të ishte i hapun siç e parashikon neni 58/2 i Rregullores së Kuvendit, tue ba kështu që secili grup parlamentar të merrte mbi vete përgjegjsinë për aktin politik që po kryente ndaj nji subjekti jopolitik. Akti i refuzimit të dekreteve presidenciale asht formalisht i ligjshëm por deri tashti nuk ka qenë politikisht i justifikuem. Nuk mund të refuzohet kandidatura e nji gjykatësi të paraqitun prej kreut të Shtetit vetëm tue u bazue në thashetheme apo tue “argumentue” se Presidenti nuk mund të dekretoje pa u konsultue me dikend.

Sa për opinionin e Gjykatës Kushtetuese, ai nuk do të ishte në linjë me orientimin e vetë Kushtetutës në qoftë se do të interpretohej në këtë rast si kufizues ndaj Presidentit.

Mandej shumica parlamentare nuk duhet ta kishte ndërgjegjen e qetë kur tue refuzue nji kandidat për në Gjykatën e Naltë të paraqitun prej ish-të përndjekunve politikë, të mbështetej në opinionin e ndonji antari të Gjykatës Kushtetuese që ka dënue vetë politikisht në kohën e komunizmit!

Me sa duket tribunëve të parlamentit tonë iu asht lagë baruti demagogjik, mbasi nuk janë në gjendje të jenë koherentë as me pjesën ma retorike të vetvetes. Asht e drejta legjitime e Presidentit me dekretue pa ba asnji pazarllek, bile pastërtia e aktit të tij jopolitik mvaret prej gjykimit të vet të paanshëm. Përshtypja e vetme që iu dha shqiptarëve prej refuzimit të dekreteve të Presidentit ishte ajo e nji force politike që nuk pranon nji Kryetar Shteti të pamvarun në vendimet e tija.

Asht ma antikushtetues refuzimi i ndamjes së pushtetit dhe roleve institucionale nga ana e shumicës parlamentare sesa përzgjedhja e kandidaturave prej Presidentit Topi. Sigurisht bahet fjalë për emnimin e pesë gjykatësve që i përkasin nivelit suprem të sistemit tonë ligjor dhe jo dekretimit të nji ambasadori në Timbuktu apo nji dekorim mbas vdekjes.

Pesë gjykatës që nuk janë të kontrolluem prej politikës janë padyshim të frikshëm për të gjithë ata që me ligjin kanë pasë në këto vite marrdhanje problematike dhe do të dëshironin që gjykatat shqiptare të të gjitha niveleve të mbeteshin ornamente institucionale.

Deklaratat e fundit të ambasadorit amerikan në Tiranë duhet të bajnë me reflektue politikanët shqiptarë. Vetë ngritja e nji grupi pune nga ana e Presidentit për përzgjedhjen e kandidatëve për gjykatës në Gjykatën e Naltë tregon vullnetin e mirë të kreut të Shtetit. Shpresojmë që emnat dhe cv e parë që do të shqyrtohet do të jenë ato të pesë kandidatëve të rrëzuem me votë të mshehtë prej nji pjese të parlamentit. Por e vetmja analizë që mund t’u bahet kandidatëve të Presidentit asht e natyrës teknike dhe profesionale, e në këtë fushë kompetencat e atyne që në parlament shprehen kundër janë tepër të mangëta.

Mësimi që nxjerrim prej kësaj krize institucionale asht nevoja e rishikimit të Kushtetutës tue rritë prerogativat e Presidentit sidomos në lidhje me emnimin e figurave qëndrore siç janë antarët e Gjykatës së Lartë dhe ato të Gjykatës Kushtetuese. Le ta ketë parasysh Presidenti këtë «incident» edhe kur t’i paraqitet rasti me përtri Gjykatën Kushtetuese, tue propozue edhe për të figura larg partive politike.

Besojmë se presioni i hapun dhe i mshehtë ndaj Presidentit do të rritet në këto ditë. Shpresojmë që ai të vijojë në rrugën e nisun të pamvarsisë institucionale, tue mos harrue se asht deri në fund të mandatit i papërgjegjshëm në fushën penale, civile, administrative dhe politike.

Në fushën politike, theksojmë, ai nuk ka pasë respektin e duhun institucional që meritonte, ndërsa ai vetë tue dekretue në mënyrë autonome ka respektue rolin jopolitik që mbulon.

Parlamenti duhet të shmangë krizat institucionale, sepse vetë klima politike e përgjithshme në vendin tonë si dhe të huejt që ndjekin me interes këto zhvillime, do të dënonin unanimisht kundërvumjen e nji subjekti politik ndaj vendimeve të nji Presidenti që vjen po prej atij subjekti, mbasi shkaqet e asaj kundërvumje nuk mund të jenë politike por të nji natyre tjetër.

* Autori është profesor i Filozofisë Moderne pranë Universitetit Urbanian në Romë si edhe Drejtor i Institutit të Studimeve të Ateizmit dhe Kulturave. Ai është gjithashtu kryeredaktor i revistës kulturore “Hylli i Dritës” dhe visiting professor pranë JCU (Cleveland).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›