Jetë të gjatë Adriatik, pleqëri të mbarë, Kryeministër!
“GËRDECI” DHE GREVA E URISË
Mesditën e se enjtes telefonuam urgjencën për të asistuar për të disatën herë Adriatikun, më të dobëtin fizikisht nga të gjithë ish-punëtorët e Gërdecit, të cilët vijonin grevën e urisë përbri Kryeministrisë.
Dy grevistë të tjerë e ngritën pa problem për shkak të peshës së lehtë, por Adriatiku mezi bëri dhjetë hapa drejt autoambulancës, ku mori sërish serum.
Po e shikoja me vëmendje. Trupi i ngjan me siluetën e 509-ës, një personazh tronditës kockë e lëkurë i Remarkut te “Shkëndija e jetës”. Dy rrathë të zinj i janë krijuar përreth syve.
Por megjithatë, ato sy nuk duken të shuar. Po t’i shikosh mirë kanë, veç rrathëve të zinj, edhe një shkëndijë që uria nuk ka mundur t’ia shuajë, ndërsa forca e shpirtit dhe mosha e re ia kanë forcuar edhe më shumë…
Po sytë e Kryeministrit të Adriatikut i keni parë ndonjëherë me vëmendje? Më qëlloi t’i shikoja këto ditë edhe ato sy. Isha ulur në një ambient shumë të qetë, në mbrëmje, në katin e parë të pallatit ku jeton Kryeministri. Ky, zbriti nga “Mercedezi” i tij me targë TR 0011 dhe teksa po bënte katër hapat për t’u futur në hyrje, ngriti dorën e djathtë dhe përshëndeti (thonë që e bën me çfarëdo që i del përpara) klientët e tjerë të ulur jashtë barit. Për një sekondë m’i drejtoi sytë. I kishin zënë rrathë të zinj edhe këtij. Supi i ishte përkulur dhe ato katër hapat m’u duk se i bëri me mundim dhe i lodhur. Por… Në sy, nuk kishte atë shkëndijën flakëruese…
Po si ka mundësi - thashë me vete - që ky tip kaq luftarak nuk e ka më shkëndijën në sy?! Përgjigja është e thjeshtë: Berisha ka lindur me 15 tetor 1944 dhe tani ai është 64 vjeç. Thonë se pi shumë qetësues dhe se bëhet shpesh nevrastenik. Madje tashmë ka edhe paranoja. “Do jetoj edhe të paktën 35 vjet të tjera”, ka filluar ai të thotë gjithmonë e më shpesh. Por jeta bën punën e saj.
Perëndia i ka krijuar fijet e fatit në mënyrë të tillë, që sytë e Adriatikut të ngjasojnë me sytë e Kryeministrit për nga pesha e rrathëve të zinj. Por, perëndia i ka dhënë të parit shkëndijën në sy, ndërsa të dytit…
Këto mendime më erdhën këto ditë, kur kam parë gjatë grevës së urisë së ish-punëtorëve të Gërdecit se si Berisha nuk do t’ia dijë farë për ta. Disi e habitshme se si mjeku që në vitin 1986 u zgjodh anëtar i Komitetit Europian për Kërkime Mjekësore, me të cilin punoi për strategjitë e kërkimit “Shëndet për të gjithë”, vetëm për shëndetin e të tjerëve nuk do t’ia dijë.
Njerëzit e kanë humbur besimin. Nuk reagojnë sepse nuk besojnë se ky reagim do të ndryshojë gjërat.
Ndërsa opozita duket më e pafuqishme se kurrë për t’u përballur me këtë Kryeministër. Dje për shembull, ndërsa 8 grevistë po vdisnin urie në derën e Kryeministrit, opozita fliste për bujqësinë(!)
Jo vetëm Adriatiku, por i gjithë vendi ngjan tani me skeletin me numër 509! Ndaj, të më ndjeni nëse ju uroj të stresoheni sa më pak e të ruani shëndetin.
Adriatiku të më ndjejë nëse tashmë mendoj se ai nuk ka për ta ndryshuar dot 64-vjeçarin e sëmurë. Ndërsa ty Kryeministër, të uroj me sinqeritet, pleqëri të mbarë, se punët e Zotit, siç edhe ti ke rënë dakord kohët e fundit, i di vetëm Zoti…