E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-punëtorët e Gërdecit, nga greva e urisë në gjykatë

 

Shtatë ish-punëtorët vendosin të braktisin grevën e urisë, pas indiferencës së qeverisë “Berisha”

TIRANË- Ndërpresin grevën e urisë, por nuk heqin dorë nga kërkesat drejtuar qeverisë shqiptare. Rreth orës 21.00 të mbrëmjes së djeshme, shtatëpunonjësit e ish- fabrikës së demontimit të armëve kanë mbyllur grevën e urisë, të nisur 14 ditë më parë. Tentativa e tyre e fundit për të tërhequr vëmendjen e kryeministrit Sali Berisha ka dështuar, pasi edhe gjatë ditës së djeshme asnjë prej përfaqësuesve të qeverisë nuk ka denjuar të takohet me grevistët, edhe pse ata e zhvendosën grevën ngjitur me godinën e kryeministrisë. “Ne vendosëm të shpënguleshim pranë kryeministrisë, me shpresën se kështu do të mund të negocionim në realizimin e kërkesave tona që më së shumti janë respektimi i të drejtave të njeriut. Kjo do të shmangte edhe proceset gjyqësore, por me sa duket, kësaj qeverie nuk i intereson asgjë”-tha kreu i grupit të grevistëve, Andi Beliu. Nga ajo sa kanë thënë punëtorët, ka qenë indiferenca e treguar nga autoritetet shtetërore, ç’ka i ka detyruar ata të deklarojnë të mbyllur grevën e urisë, për t’iu drejtuar gjykatës. Megjithëse kanë deklaruar përfundimin e grevës së urisë, punëtorët thonë se do t’i drejtohen gjykatës për të paditur shtetin shqiptar për dëmet e shkaktuara nga fabrika e licensuar për demontimin e armëve. Sipas Belit, në fillim të javës do të ngrihet një padi në gjykatat shqiptare, ku sërish objekti i saj do të jenë kërkesat për plotësimin e kushteve që i detyruan të qëndrojnë në grevë urie për 15 ditë.Prej dy ditësh, shtatëish- punonjësit e fabrikës së vdekjes kanë vijuar grevën e tyre pranë lulishtes së kryeministrisë, me shpresën se qeveria do të mundësonte plotësimin e kërkesave që ata i quajnë jetike dhe të drejta. Por edhe kjo nuk ka mjaftuar për të tërhequr vëmendjen e kryeministrit Berisha. Prej 15 ditëshditësh, shtatë ish- punonjësit e Gërdecit kanë zhvilluar grevën e tyre të urisë. Më 29 maj, ish-punëtorët e fabrikës së Gërdeciti kishin dërguar një letër kryeministrit Berisha për të cilën ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ky ka qenë dhe shkaku që ish- punëtorët janë futur në grevë urie. Kërkesat e punëtorëve drejtuar qeverisë janë: 400 mijë lekë ndihmë financiare për çdo punëtor dhe kjo të paguhet për një vit; një vit rrogë me 500 mijë lekë në muaj; më pas, shteti të sigurojë asistencën për këta punëtorë; pension për familjarët e viktimave; dëmshpërblim për mjetet motorike si dhe t’u njihen sigurimet shëndetësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›