Sarkozy ka pranuar 60 milion euro nga Gaddafi

Prova të reja të bëra publike në Paris tregojnë se ish-diktatori libian, i vrarë nga kryengritësit e mbështetur nga perëndimi në tetor të vitit 2011, ishte një prej financuesve kryesorë të atij që u shndërrua në një prej kritikëve më të vendosur të regjimit të tij në Libi, gjatë trazirave të vitit të shkuar.
Një dokument shtetëror, i publikuar nga “Mediapart”, një faqe e respektuar e gazetarisë hulumtuese në Francë, flet për vizita të shumta të Sarkozy dhe personelit të tij në Libi, me qëllim sigurimin e fondeve për fushatën.
Një prej dokumenteve të publikuar, nën inicialet NS (Nicolas Sarkozy) me datë 6 tetor 2005, i referohet qartësisht Gaddafit, kur shkruan se “me ndihmën e dhënë prej kolonelit zgjidhim tërësisht nevojat tona financiare për fushatën”.
Në atë kohë, Sarkozy ishte një ministër i Brendshëm gjithmonë e më popullor, për fushatën e tij të vendosur kundër emigrantëve të jashtëligjshëm.
Nëse ato që publikohen në këtë dokument janë të vërteta, atëherë Sarkozy duhet të përgjigjet për shkeljen flagrante të ligjeve mbi financimet e partive politike dhe fushatave zgjedhore.