Kosovë, Bukoshi: Nuk jam i korruptuar
Zëvendëskryeministri, Bujar Bukoshi ka mohuar akuzat e organizatës “Fol” se ai është i përfshirë në afera korruptive. “Nuk kam jam i përfshirë në afera korruptive dhe nuk bëj pjesë tek ata njerëz. Është e drejtë e tyre të deklarojnë çfarë mendojnë”, ka deklaruar Bukoshi për gazetën “Express”.
Ndonëse nuk kanë saktësuar se për çfarë mund të jetë duke u hetuar zëvendëskryeministri Bukoshi, drejtuesit e lëvizjes “Fol” i kanë kërkuar atij të japë dorëheqje.
Nëpërmjet këtij veprimi, drejtuesit e “Folit” kanë thënë se Bujar Bukoshi do të jepte shembullin, dhe njësoj do të duhej të vepronin edhe drejtuesit e tjerë të institucioneve, të cilët janë të korruptuar.
Megjithatë, vetë zyrtarë të EULEX-it nuk kanë konfirmuar asgjë, nëse zëvendëskryeministri Bukoshi është nën hetime. “Nuk kemi koment”, thotë shkurt Blerim Krasniqi, një nga zyrtarët e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Pavarësisht kësaj, drejtues të lëvizjes ”Fol” kanë deklaruar se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi duhet të jetë përgjegjës për nivelin e lartë të korrupsionit në qeverinë e Kosovës. Sipas tyre, në institucionet lokale dhe ndërmarrjet publike, ka shkelje të madha ligjore.