E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozy kërkon më shumë dialog me ECB-në

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy po bën gati disa plane për të rritur përgjegjësinë politike të Bankës Qendrore Europiane. Sarkozy ka urdhëruar liderët politikë të eurozonës të marrin pjesë në një debat të hapur me bankën me qëllim ngritjen e një plani. Ai kërkon që ECB të publikojë të dhëna të specifikuara për ecurinë e normës bazë të interesit dhe vendimet e marra nga këshilli i guvernatorëve të bankës.

Ai kërkon gjithashtu që ministrat e financës të eurozonës të forcojnë koordinimin me ECB-në.

Zyrtarët kanë theksuar dëshirën e Sarkozy-t për të bërë reforma në sistemin ekonomik.

Në javët e fundit, ai ka ngritur kritika ndaj ECB-së, duke argumentuar se do të ishte gabim rritja e normës bazë të interesit me qëllim kontrollin e inflacionit të shkaktuar nga rritja globale e çmimeve të ushqimeve. ECB ka rritur normën bazë të interesit në fillim të këtij muaji me 25 pikë bazë deri në nivelin 4.25%.

Ai kërkoi nga homologët europianë “të kenë kurajën” për debat të hapur rreth politikës monetare të ECB-së.

“Europës i mungon debati” – tha ai para Parlamentit Europian. “Institucionet tona janë të pavarura. Por pavarësia nuk do të thotë indiferencë”.

Deklaratat e Sarkozisë pritet të gjejnë kundërshtime të Frankfurtit. Jean- Claude Trichet, presidenti i ECB-së, thekson gjithmonë faktin e pavarësisë së Bankës Qendrore.

Sa i përket çështjes së publikimit të të dhënave, ECB ka kundërshtuar prej kohësh. Ata e argumentojnë këtë se nëse çdo gjë do të publikohej, guvernatorët do të ishin nën presion për të shpjeguar pozicionin e tyre ndaj audiencës – duke theksuar parimin se ECB vepron në interes të eurozonës si një e tërë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›