Majko: Vizita e krerëve kosovarë në SHBA shumë e rëndësishme
Dy herë ish-kryetari i qeverisë së Shqipërisë, Pandeli Majko, tha të dielën se takimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të krerëve të lartë të Kosovës janë dëshmi e garancisë së funksionimit të shtetit të ri dhe e rolit amerikan. Ish-kryeministër gjatë luftës së Kosovës, Majko, tha se vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe të kryeministrit Hashim Thaçi duhet parë në disa aspekte që lidhen me shtetin e ri të shpallur të pavarur më 17 shkurt dhe të mbështetjes amerikane për të. Majko komentoi se vizita tregon njëkohësisht jo vetëm përparësi, por edhe për të theksuar politikën amerikane të filluar me shqiptarët dhe jo nga ndonjë qendër tjetër rajonale. Në bisedë me korrespondentin Denion Ndrenika të radios "Blue Sky", pjesë e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Majko tha se niveli më i lartë i mbështetjes për Kosovën gjen shprehje tek takimi me presidentin Xhorxh Bush të hënën.
-Zoti Majko, çfarë komenti keni për vizitën e Sejdiut dhe të Thaçit në SHBA?
Pandeli Majko: “Mendoj se vizita duhet parë shumëplanëshe. Së pari, ajo përcakton Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe politikën e saj në vazhdim si protagoniste kryesore në periudhën e postpavarësisë. Duket qartë që vizita në Shtetet e Bashkuara e presidentit dhe e kryeministrit të Kosovës përbën jo thjesht një prioritet, por në fund të fundit tregon një tendencë, për ta parë politikën e Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një moment, i cili stabilitetin në rajon e shikon të fillojë me shqiptarët, ndryshe nga ndonjë lob evropian që e shikon çështjen e stabilitetit nga Beogradi dhe jo nga Prishtina. Megjithatë, në këtë këndvështrim, theksoj se vizita ka të bëjë sidomos edhe me presionet më të fundit të Beogradit dhe të Rusisë dhe nga pikëpamja diplomatike jep një përgjigje shumë elokuente karshi synimeve për të krijuar një lloj destabiliteti në marrëdhëniet e Kosovës me palët e treta”.
-Kjo vizitë ka nisur me takimet me sekretaren e Shtetit, Kondolesa Rajs dhe me sekretarin e Mbrojtjes, Robert Gejts. A përbën një nivel më të larë të këtij gjykimi që sapo më shprehët edhe takimi të hënën me presidentin Xhorxh Bush?
Pandeli Majko: “Mendoj se në vazhdim, politika amerikane po tregon se do t’i qëndrojë deri në fund angazhimit për të qenë krah shqiptarëve dhe të faktorit shqiptar. Në këtë këndvështrim, mendoj se është jo vetëm nivel i lartë dhe cilësor, por dhe shpreh angazhim në të ardhmen e politikës së Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krah të Kosovës dhe të shqiptarëve”.
-Zoti Majko, edhe një pyetje të fundit. Ne kemi përpjekje të vështira në një pjesë të madhe të Kosovës ku jeton pakica serbe, për shkak të problemeve, të mosndërthurjes së tyre me qeverinë e Kosovës apo me institucionet, qoftë edhe me ato ndërkombëtare. A mendoni se ka një farë frike lidhur me ekzistencën e pajtimit në këto zona?
Pandeli Majko: “Kam parasysh se përfaqësuesit e Kosovës janë ftuar si partnerë nga një kryeqendër e politikës dhe e diplomacisë ndërkombëtare, e cila nuk “luan” në thonjëza, në planin e një viti, dy vjetësh apo tre a katër viteve. Kjo diplomaci ka treguar që luan në një plan afatmesëm dhe afatgjatë dhe asnjëherë nuk lodhet në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, karshi çdo tendence apo kapriçoje për destabilitet në qëndrimet e saj”.