Lipi: Bufoni udhëheqës, Kanavaro është simbol!
Trajneri i Italisë fton Nestën dhe Totin të mendohen, thotë se Kanavaro do të vazhdojë të luajë dhe ua hap dyert të gjithëve
Ai "rrëmbehet" nga diskutimet për Italinë, për Italinë e tij, por e harron biçikletën në një vend parkimi, aq sa pas pak gjen te timoni biletën "Ju lutem, zhvendoseni mjetin!". Marçelo Lipi është i dashuruar me kombëtaren, si në ditën e parë, dhe nuk mërzitet kurrë me të: "Është si një nga ato pijet që, sa më shumë i kalon koha aq më e mirë bëhet. Po e filloj unë, për të thënë se nuk ka ndryshuar asgjë që prej 2004-s. Duhet të rikrijojmë të njëjtat premisa psikologjike: pra një grup që të ketë shumë dëshirë të luajë dhe të fitojë".
- Në vitin 2004 ju u prezantuat, duke thënë: "Kam një mision, Botërorin"...
- Italia e ka gjithnjë si objektiv të marrë pjesë në fazën finale të çdo veprimtarie, ashtu sikurse Brazili, Argjentina, Gjermania dhe Franca. Ne nuk marrim pjesë sa për t'u paraqitur mirë, sepse jemi të ndërtuar për të fituar. Këtë e tregon historia.
- Tani është më e vështirë, apo jo?
- Sigurisht, e kam provuar edhe me Juven. Hera e parë është metafora e oreksit të madh, ndërsa tani duhen gjetur motivime të reja, duhet të ndërtojmë një mendësi prej fitimtarësh: skuadra duhet të ndihet e fortë. Është e rëndësishme që vetëbesimi të mos kthehet në mendjemadhësi, por ky rrezik nuk ekziston.
- Më 2004-n ju thatë: "Asnjë kampionat nuk ka larminë taktike të atij italian". A vazhdon të jetë ende kështu?
- Diçka ka ndryshuar. Futbolli është i globalizuar, trajnerët po e eksportojnë kulturën e tyre: kombëtaret mbeten shprehje e futbollit lokal, por mendësia dhe skemat kanë nisur të ngatërrohen.
- Cili është rezultati që buron nga kjo?
- Emëruesi i përbashkët është të bashkohemi menjëherë, sapo ta kemi humbur topin, dhe më pas të rinisemi me shpejtësi, kur ta kemi fituar sërish sferën. Sa më shumë ta përziesh teknikën e shpejtësinë, aq më shpejt shkon deri te porta. Spanja dhe Portugalia kështu janë, dhe e tillë do të jetë edhe Anglia e Kapelos. Kjo ka qenë gjithnjë filozofia jonë: nuk kërkoj asgjë të re.
- Si do të jetë rreshtimi?
- Do të jetë si më parë: me dy sulmues, tre sulmues, ose 442, ose 433. Më shumë se rreshtimi ka rëndësi filozofia, dëshira e lojtarëve të mëdhenj, për t'u vënë në shërbim të skuadrës, kur e kanë topin kundërshtarët. Ashtu siç bën Runi te Mançesteri.
- Cila ishte gjëja më e bukur e Europianit?
- Bufoni. Një udhëheqës i vërtetë, një pikë referimi, si në fushë, me paraqitje teknikisht të shkëlqyera, ashtu edhe jashtë saj, me fjalët e duhura në çastet e duhura. Është numri një: si lojtar, jo si portier.
- Nesta është larguar, ndërsa Toti i ka lënë dyert hapur...
- I respektoj vendimet e tyre, edhe pse me shumë vuajtjeje; ata janë lojtarë dhe burra të mëdhenj. Nuk është e drejtë të thuhet se nuk e duan kombëtaren. U sugjeroj vetëm që përpara se t'i thonë lamtumirë, të mendohen mirë: mund të kërkojnë një pushim, nëse është ndonjë moment i vështirë, për të qenë sërish të gatshëm, nëse një ditë do të jetë e nevojshme, edhe pse të grumbulluarit i zgjedh trajneri. Ashtu siç bënë Zidan dhe Makelele me Francën.
- Keni thënë se tek Italia nuk ka pse të largohet ndonjë, po të rinjtë?
- Kam thënë se nuk ka pse të largohet ndonjë, duke e pasur fjalën për një grup prej 5-7 lojtarësh, të cilët mund ta bashkojnë grupin dhe të ndikojnë në përmirësimin e tij. Edhe nëse dikush ia lë vendin një tjetri, duhet të jetë i ndërgjegjshëm se vazhdon të jetë i dobishëm. Dorëzimi i detyrave do të jetë gradual: përpara se fanella e Italisë të mos peshojë më 60 kilogramë, por 60 gramë, duhen luajtur, të paktën 8 ndeshje.
- Grupi i kombëtares olimpike do të jetë serbatori i privilegjuar?
- Katër-pesë prej tyre e dinë se më pëlqejnë, por nuk dua të përmend emra. Ia kam thënë skuadrës se mua më ka përçuar disa ndjesi, shkon shumë mirë me trajnerët, ndaj duhet të ëndërrojë fitimin e medaljes së arit.
- Kanavaro ia ka thënë që tani se është gati...
- Eh, Kanavaro do të luajë edhe pas moshës 37-vjeçare. Ai është simbol! Administrimi i formës së tij nuk është problem, e kam bërë edhe më parë, kur ka ndonjë miqësore, mund të luajë një lojtar i ri. Por kush vjen nga skuadrat e mëdha, nuk ka nevojë të pushojë, mund të ketë nevojë vetëm për ndonjë stërvitje specifike që ta rigjenerojë.
- Ndërkohë që Kanavaro është i sigurt, Del Piero dhe të tjerët s'janë edhe aq...
- S'kam ndër mend të përjashtoj askënd, ndryshimet nuk do të bëhen brenda dy javësh. Nëse ndaj Austrisë nuk do t'i thërras të gjithë ata të grupit, nuk do të jetë përjashtim përfundimtar.
- A mund të ishte Amauri, afrimi më i rëndësishëm?
- Nuk më pëlqen lojtari që gjatë një muaji ua shkel syrin dy kombëtareve, sepse, nëse nuk e merr Brazili dhe zgjedh Italinë, do të dukej sikur e bëri këtë nga halli. Ndaj, do të doja një vendim më të fortë nga ana e tij, pasi unë nuk i kërkoj asgjë askujt. Nëse do të bëhet ligjërisht italian dhe, nëse do të zgjedhë Italinë, do të më vinte mirë.
- Së shpejti rinis kampionati. Do të fitojë sërish Interi?
- E adhuroj skuadrën dhe Mourinjon, i cili ka një mendësi konkrete dhe di t'i motivojë lojtarët. Mançini ka lënë një goxha trashëgimi teknike dhe taktike; për një trajner të ri është si ta fillojë gjithçka nga e para.
- Ju keni thënë se Juvja do të përmirësohet...
- Më pëlqen karakteri që ka, stimujt, filozofia e mjedisit, por ata e dinë se do ta kenë më të vështirë. Një vit më parë, lojtarët kishin dëshirë ta rimernin rolin e tyre, ndërsa tani mjedisi kërkon më shumë.
- Milani ka blerë Ronaldinjon...