Spiunët, PD sërish thirrje për konsensus me PS-në
Demokratët kërkojnë që socialistët të bashkëpunojnë për hartimin e ligjit
TIRANË- Sërish dje Partia Demokratike ka ftuar PS-në që të ulen për miratimin me konsensus të projektligjit për pastrimin e figurave të zyrtarëve të lartë. Një prej anëtarëve demokratë të Komisionit të Ligjeve, Gjok Vuksani, ka deklaruar dje në emër të PD-së se demokratët janë të gatshëm që të bashkëpunojnë, me qëllim hartimin e një ligji sa më të mirë. “Ne si forcë politike jemi shumë të interesuar që të bashkëpunojmë me opozitën në mënyrë të tillë, që të nxjerrim një ligj sa më të mirë. Edhe kjo ftesë që po i bëj, është një ftesë publike që po u bëj në emër të forcës politikë që unë përfaqësoj, që ata të mos kenë frikë nga verifikimi, të mos kenë frikë nga riverifikimi sepse ashtu siç janë, ashtu dhe do të dalin, vetëm në qoftë se komisionet e mëparshme kanë anashkaluar ndonjë person, si pasojë e ndërhyrjes politike të mëparshme",- tha Vuksani. Në fakt, kjo është deklarata e dytë brenda 24 orëve nga Partia Demokratike për të kaluar ligjin me konsensus, një thirrje kjo që vjen më së shumti nga reagimi i OSBE-së, se ligji për spiunët duhet të kalojë jo me ngut dhe me konsensusin e palëve. Në fund të javës që kaloi, në komisionin ligjeve, demokratët nxituan jo pak që të kalonin draftin nen për nen edhe pse komisioni ishte braktisur nga përfaqësuesit e opozitës. Por, reagimi i ndërkombëtarëve ka bërë që edhe kësaj here demokratët të tërhiqen, për të dalë në qëndrime të njëpasnjëshme për thirrje për bashkëpunim. Qëndrimi zyrtar i demokratëve, i përfshirë në draftin përfundimtar, kërkon që të kalojnë në “sitë” të gjithë ata persona që kanë pasur lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit, por që kanë qenë anëtarë të forumeve të larta shtetërore të para viteve ‘90. Gjithashtu, PD kërkon që kontrollit t’i nënshtrohen edhe ata individë që kanë kaluar një herë këtë test me dy ligjet e mëparshme. Demokratët mendojnë se të gjithë personat që mbajnë një post të caktuar dhe gjatë kontrollit rezultojnë të implikuar me dosje, atëherë atyre duhet t’u ndërpritet mandati dhe të largohen nga puna. Qëndrimi i PS-së është se mandatet kushtetuese nuk mund të kufizohen dhe ndërpriten, pasi diçka e tillë është antikushtetuese.